Ashtu siç pritej, ka ndodhur. Ekipin nënkampion në fuqi i Shqipërisë- “Juban Danja”, ka marrë tre lojtare cilësore në limitet e mbylljes së merkatos. Bëhet fjalë për tre futbolliste kosovare të cilat janë pjesë e përfaqësueses shqiptare të futbollit. Ato janë Albina Rrahmani, Suada Jashari dhe Pranvera Tasholli, të cilat janë federuar tashmë me këtë ekip dhe të shtunën do jenë në fushën e lojës për të zhvilluar ndeshjen e parë të kampionatit. Lajmi bëhet i ditur për gazetën online www.shkodrasport.com vete presidenti i ketij ekipi Ferdinand Jaku që është shprehur:


“Këto janë përforcimet më të rëndësishme të merkatos për ne. Janë tre futbolliste kosovare që janë pjesë e përfaqësueses sonë dhe mendoj se me marrjen e tyre Juban Danja është forcuar së tepërmi duke qenë pretendente për fitimin e trofeve në sezonin e ri”. Në këtë mënyrë, nënkampionet e vendit bashkë me këto tre përforcime por edhe me lojtare si Advije Veliu, Emanuela Jaku, Xhulia Preçi, Klaudia Rrotani etj, pritet ta thotë fjalën e saj ashtu si duhet në sezonin e ri. Ky ekip që është i pari i krijuar në vendin tonë në futbollin e femrave, ka fituar deri tani si trofe vetëm Kupën e Shqipërisë sezonin e kaluar ndërkohë që ëndërra e madhe e presidentit Jaku është fitorja e një titulli kampion.
www.shkodrasport.com