Omar Ture nuk është një emër i njo hur, për më tepër vetëm 20 vjeç, por fakti që është nën kontratë me gjigantët e Juventusit, gjërat sigurisht që mund dhe duhet të shihen me seriozitet.

Mesfushori nga Guinea mbërriti në muajin gusht te Kukësi si një afrim i bujshëm, për vetë faktin se klubi verilindor kishte firmosur një marrëveshje me Juventusin për huazimin e lojtarit për një periudhë 1-vjeçare. Por, tashmë që Ture futet në muajin e pestë me Kukësin rezulton të mos ketë luajtur asnjë minutë në Kategorinë Superiore.

Vetëm katër herë i grumbulluar në dy ndeshjet ndaj Flamurtarit, si dhe kundër Laçit e Tiranës. Habia për mosaktivizimin është e madhe, nisur nga pritshmëritë, por është fakt që trajneri Armando Cungu nuk e ka konsideruar kurrë si një alternativë për formacionin.

Ture është prezantuar më 13 gusht nga vetë presidenti Safet Gjici. Ky i fundit e ka si standard në çdo sesion të merkatos: prezanton vetëm prurjet më të bujshme.

Në marrëveshjen që ishte bërë me Juventusin, klubi i Kukësit përfitonte të ardhura nëse afirmonte një lojtar si Ture, por trajneri Cungu nuk ka qenë i bindur për të aktivizuar mesfushorin qoftë edhe një minutë në kampionat. Dy ndeshje në Kupën e Shqipërisë ndaj Orikumit janë i vetmi aktivizim i Ture me fanellën e Kukësit.

Javën e kaluar lojtari mori një ftesë nga kombëtarja e Guinesë, ndërsa tashmë pret janarin për të ndryshuar skuadër, pasi te Kukësi është i tepërt. “Panorama Sport” mëson se menaxherët që kanë ndërmjetësuar për afrimin e Turesë te Kukësi kanë mbetur të shtangur për faktin se trajneri Cungu nuk i ka dhënë asnjë shans lojtarit në kampionat.

ÇFARË HUMBET KLUBI

Juventusi kishte dhënë Omar Ture në formë huazimi gjatë sezonit të kaluar te klubi i Ligës së Dytë austriake, Vatens, ku luajti 14 ndeshje. Në verën e këtij viti pas ndërmjetësimit të menaxherit shqiptar, Elton Marini, me agjentin e lojtarit, përfaqësuesit e Juventusit dhe Kukësit, u arrit një marrëveshje që të transferohej te klubi shqiptar.

Ture vinte te Kukësi me qëllim për të pasur minuta dhe për t’u afirmuar, madje klubi italian përveçse paguante lojtarin çdo muaj, të njëjtën gjë bënte edhe me klubin e Kukësit, por kushti ishin minutat.

Kur kanë kaluar 14 javë kampionat dhe aktivizimi nuk ka ardhur, në janar lojtari do të ndërpresë marrëveshjen, por në këtë mes duket se më i humbur del klubi i Kukësit dhe jo Ture. Klubi verilindor humbi shansin për të bashkëpunuar në të ardhmen me gjigantët e Juventusit.

Nuk dihet sesi e kanë menaxhuar këtë situatë në klubin verilindor, por gjithsesi është fakt që Cungu nuk e ka në plane dhe përtej numrit të madh të të huajve që ka në repartin e mesfushës, ajo që habit është sesi ka mundësi që Ture nuk ka debutuar.