Nga Endri ÇINARI

Kampionati shqiptar është në 5 javët e fundit të sezonit të rregullt. Ku pas përfundimit të 36 raundeve, do luhet edhe “Final 4” për përcaktimin e fituesit të edicionit. Dy ekipet kryesuese të kampionatit deri më tani, Egnatia dhe Vllaznia do kenë një favor nëse do ruajnë këto pozicione. Sepse në ndeshjen e parë gjysmëfinale të “Final 4” iu mjafton vetëm barazimi për të kaluar në finale.

Dhe kalendari është “identik” në 5 javët e mbetura për dy vendet e para të kampionatit. Duke nisur që nga kjo fundjavë ku Egnatia luan në transfertë kundër Laçit dhe Vllaznia viziton Teutën në Durrës. Të dy skuadrat luajnë kundër ekipeve që po luftojnë për mbijetesën në Superiore. Në javën e 33-të përballja do jetë direkte mes Egnatias dhe Vllaznisë në Rrogozhinë.

Po ashtu në raundin e 34-të, Egnatia ka një transfertë delikate kundër Teutës e Vllaznia pret Dinamon, ku blutë janë në garë për “final 4”. Java e 35-të po ashtu i sheh dy ekipet kundër ekipeve me pretendime. Vllaznia viziton kryeqytetin për tu ndeshur me Tiranën e ndërsa Egnatia po ashtu është mysafire kundër Dinamos.

Javën e fundit të kampionatit dy ekipet e mbyllin në shtëpi. Vllaznia do presë Skënderbeun, me korçarët që janë në një “zonë gri”, mes luftës për “final 4”, por edhe “play out” në Superiore. E ndërsa Egnatia do e mbyllë me Tiranën, ku mund të vendoset shumë nëse bardheblutë do jenë pjesë apo jo e katërshes së parë të kampionatit./www.shkodrasport.com/