Federata Shqiptare e Peshëngritjes ka caktuar datën 16 tetor për zhvillimin e kampionatit kombëtar të të rriturve. Vendimi është bërë publik nga sekretari i saj Agron Haxhihyseni ndërkohë që ekipi i Vllaznisë ka kohë që ka nisur përgatitjet për këtë kampionat.Shqetësimi kryesor për të ka qenë padyshim mungesa e palestrës për shkak të prishjes së asaj ekzistuese nga rikonstruksioni i stadiumit “Loro Boriçi” dhe për këtë arsye sportistët dhe trajnerët janë detyruar të degdisen sa në njërin vend në tjetrin për t’u stërvitur. Kuptohet që ekipi i Vllaznisë do të ketë pretendimet e tij për titullim kampion jo vetëm me disa sportistë në peshat respektive por edhe si ekip.

Ndërkohë, sportistët e ekipit shkodran Erkand Qerimaj dhe Emanuel Lushi përveçse janë duke u përgatitur për kampionatin kombëtar,  janë duke u bërë gati edhe për pjesmarrjen në turne të rëndësishëm ndërkombëtar si Kampionati Botëror dhe ai Europian. Emanuel Lushi do të marrë pjesë në Kampionatin Europian të të rinjve që do të zhvillohet në fillim të muajit tetor në Lituani ndërkohë që Qerimaj por ndoshta edhe Lushi do të jenë pjesë e ekipit kombëtar të të rriturve që do të marrë pjesë në Kampionatin Botëror që zhvillohet në muajin nëntor në Amerikë. Kësisoj fundi i këtij viti do të jetë i ngarkuar për peshëngritësit shkodranë megjithatë të shpresojmë që ata do të jenë të suksesshëm si në garat kombëtare dhe ndërkombëtare.

Gjergj KOLA