Ndërsa të gjithë prisnin që nesër të shihnin ndeshjen e parë të javës së 29-të të Superiores mes Luftëtarit dhe Partizanit, një gjë e tillë rrezikohet mos të ndodhë. Burime të sigurta për neësport.al bëjnë me dije që Federata Shqiptare e Futbollit ka njoftuar Digitalb-in dhe Supersportin se nuk mund të transmetojë ndeshjen e nesërme dhe ato në vazhdim për shkak se nuk janë shlyer detyrimet për muajt e fundit sa i përket të drejtës televizive.

Një lajm ky i bujshëm që vjen në një moment mjaft të vështirë për tifozët. Pandemia e Coronavirusit i ka ndaluar ata për të qenë prezentë në stadium. Si të mos mjaftonte kjo, tanimë rrezikohet që kampionati shqiptar të jetë në “black-out” total dhe ata që mund ta ndjekin do të jenë vetëm “aktorët” e fushës.

Newsport.al u interesua dhe mësoi pranë Supersport se janë bërë gati të gjitha për transmetimin e sfidës. Por, deri më tani FSHF-ja ka bllokuar çdo gjë dhe ende nuk dihet se çfarë do të ndodhë.

“Lufta” mes presidentit Armand Duka dhe aksioneres së Digitalb vijon të jetë e fortë. Më i plagosuri deri tani duket se është kampionati dhe tifozët të dënuar për të mos ndjekur as nga televizori ekipet e tyre, edhe pse për të kanë paguar sipas tarifave përkatëse.

Theksojmë se deri në këto momente nuk janë shlyer detyrimet sipas marrëveshjes së nënshkruar në fillim të sezonit për transmetimin e ndeshjeve të Kategorisë Superiore mes Digitalb, FSHF-së dhe klubeve pjesëmarrëse. Kujtojmë që ditën e nesërme do të luhet sfida Partizani-Luftëtari në orën 17:00. /newsport/