Sulmi më i mirë pas 35 javëve të kampionatit? Atalanta, 95 gola kundër 73 të Juventusit. Mbrojtja më e mirë? Inter, 36 gola të pësuar kundër 38 të bardhezinjve. Kush ka humbur më pak ndeshje?

Gjithnjë Interi, 4, ndërsa skuadra e Mauricio Sarrit ka rënë pesë herë. Juventusi  dërgoi në shtëpi titullin e nëntë radhazi kampion në Itali pa qenë e para në shumë kategori që konsiderohen vendimtare për t’u shpallur kampionë.

MBRETËRIMI – Duke parë serinë e tetë titujve radhazi, nuk ka ndodhur kurrë që kampionët e Italisë të mos jenë në krye të asnjë prej këtyre kategorive. Në sezonin 2018-’19, i fundit i Masimiliano Alegrit në krye të skuadrës, Juventusi e mbylli me mbrojtjen më të mirë sa i përket numrit të humbjeve. Një vit më herët, ishte sërish mbrojtja më e mirë me vetëm 3 disfata (njësoj si Napoli i Sarrit).

Alegri pati mbrojtjen më të fortë edhe në sezonin 2016-’17 dhe në atë precedent, ashtu siç ndodhi edhe në vitin e tij të parë në Torino, ku i dominoi të gjitha kategoritë. Soliditeti i repartit të prapavijës ishte një prej pikave më të forta të Maks.

Edhe skuadra e Antonio Kontes në sezonin 2013-’14, u shpall kampione duke dominuar në çdo fushë. Viti i parë juventin i Kontes, ai që “Zonja e Vjetër” i rrëmbeu titullin Milanit, u mbyll nga bardhezinjtë pa pësuar asnjë humbje. Por ato ishin kohë të tjera dhe sigurisht ishte edhe një Juve tjetër.