Kampioni I Europës Izmir Smajlaj është pritur mesditën e së martës në zyrën e saj nga kryetarja e Bashkisë Shkodër, zj. Voltana Ademi. Atleti shkodran ka qenë I shoqëruar nga babai I tij dhe nga trajneri Vildan Tufi. Mes tyre është zhvilluar një bisedë e ngrohtë teksa Smajlaj ka bërë present edhe njëherë emocionet që ka provuar pak ditë më parë në garat e zhvilluara në Beograd ndërkohë që trajneri Tufi ka kërkuar më shumë mbështetje nga të gjitha institucionet sepse ky sportist mund të dhurojë të tjera rezultate të larta. Nga ana e saj, kryebashkiakja Ademi përveçse e ka uruar Smajlajn për suksesin e arritur, ka bërë të ditur edhe një propozim që do t’ia kalojë Këshillit Bashkiak për shpërblimin e këtij sportisti dhe po ashtu ka ofruar mbështetje edhe për pjesmarrjen e tij në aktivitetet e tjera ndërkombëtare. “Shkodra dhe e gjithë Shqipëria duhet të krenohen me këtë sportist, me këtë rezultat që arriti në Beograd. Por Izmir sigurisht që kërkon më shumë vëmendje dhe mbështetje. Prandaj, institucioni që unë drejtoj, do ta bëjë këtë gjë. Si hap i parë do të jetë propozimi për t’i dhënë një shpërblim për arritjen e fundit. Së dyti, Izmiri duhet mbështetur edhe në vazhdim sepse ka të tjera gara dhe aktivitete ku do të marrë pjesë dhe për këtë arsye, duke patur mbështetjen edhe të bizneseve, besoj se do t’i gjendemi pranë në mënyrë që sukseset e tij të mos ndalen këtu por të vazhdojnë sërish”- ka thënë ajo. Vetë Smajlaj edhe njëherë tjetër ka deklaruar ndërkohë se këto medalje I shkojnë Shkodrës dhe gjithë Shqipërisë e po ashtu, ka premtuar rezultate të larta edhe në të ardhmen. “Jam akoma i emocionuar. Besoj se ka qenë një sukses i madh jo vetëm për mua personalisht por edhe për Shkodrën dhe gjithë Shqipërinë. Unë e falenderoj kryetaren e Bashkisë për pritjen që më bëri dhe mbështetjen që më ofroi por dua të them se nëse këto institucione presin rezultate të larta, duhet t’u qëndrojnë pranë sportistëve cilësorë. Për momentin i kam arritur dy objektivat që kisha, tashmë vëmendja është e përqendruar tek kampionati botëror që do të zhvillohet në muajin gusht në Londër ku natyrisht që do kem synimet e mia”- ka thënë kampioni i saposhpallur i Europës.Edhe trajneri Vildan Tufi është shfaqur krenar për këtë sukses dhe në prononcimin e tij, ka bërë të ditur se titulli Kampion Europe I arritur nga Izmiri në Beograd, është qershia mbi tortë e gjithë punës shumëvjeçare që ai ka bërë. Qyteti I Shkodrës në këtë mënyrë krenohet me këtë sportist elitar. Izmir Smajlaj tashmë do të jetë një nga simbolet e këtij qyteti dhe natyrisht që duhet mbështetur sepse të tillë kampionë I vijnë rradhë këtij vendi.