Opinion nga BESNIK DIZDARI”

Këtë të hënë, në orën 20:30, një televizion i Republikës së Shqipërisë ka transmetuar drejtpërsëdrejti për shqiptarët ndeshjen e futbollit të Serisë B (Kategori e Dytë) të Italisë, atë Frosinone – Cittadella.

Janë dy skuadra, për historinë e tyre krejt të vogël të të cilave ka me mijëra banorë të Republikës italiane që nuk dinë asgjë. Ato janë skuadrat e dy komunave të vogla italiane me nga 20.000 e 46.000 banorë. Dy skuadra me ndërprerje jete e të ngjallura tash vonë, vetëm në vitet ’90 apo 2000.

Për Shqipërinë, merret me mend, se ato nuk përfaqësojnë asgjë! Dihet që nuk jam, por po të isha anëtar i Komisionit të Medias të Parlamentit Shqiptar do të kërkoja një hetim, qoftë dhe “miqësor”, për të mësuar përse një televizion shqiptar transmeton për shqiptarët të hënën në mbrëmje nga ora 20:30 e deri në 22:30 këtë ndeshje thuajse skarco të një shteti tjetër. Thjesht për të mësuar e zbërthyer enigmën e kësisoj transmetimesh. E pse jo, për të përimtuar shkaqet e këtij nënvleftësimi të papamë për qytetarët shqiptarë, për futbolldashësit, e pra për telespektatorët e të gjitha kategorive, siç është transmetimi i kësaj ndeshjeje.

Madje dhe fyes. Shumë vite më parë pata lexuar faktin e rrallë të një radioje franceze që qe dënuar prej ligjit, sepse kishte kapërcyer cakun e kohës së transmetimit të muzikës së huaj në dëm të asaj franceze! E pra, jashtëzakonisht më nder se transmetimi në Shqipëri i ndeshjes italiane të dorës së dytë a të tretë, kësaj Frosinone – Cittadella, do të kishte qenë që një televizion shqiptar të transmetonte për arbëreshët e Italisë e ata të Zarës, ndeshjen shqiptare Iliria e Fushë-Krujës – KF Mamurrasi i Mamurrasit. Ndonëse prapëseprapë, arbëreshët e Italisë apo ata të Zarës, të cilët kanë dëgjuar për SK Tiranë e Skënderbe, për Flamurtar, Vllazni e Partizan, do të mahniteshin prej çudisë, edhe pse ndihen shqiptarë e flasin shqip sot e kësaj dite!

E pra, sa shumë do t’i shërbente Shqipërisë që dy orët e Frosinone – Cittadella-s t’i kushtoheshin Kampionit të Europës Izmir Smajlaj, jetës së tij, arritjes së tij madhështore, talentit të tij. Pse jo, “varfërisë” së kushteve të jetës së tij “mërgimtare”, në një shesh primitiv stërvitjeje në Kodrat e Tepes të Shkodrës, po për fat të mirë edhe në pistën e Tivarit të Malit të Zi…

Ndërsa ne kemi Shkodër pa pistë e pedanë atletike. Madje, kemi edhe Tiranë pa pistë atletike, edhe pse Italia fashiste na e pat ndërtuar një, që ishte ndër më të mirat e Ballkanit. Dhe ec e merre vesht se si në këto kushte të mjerueshme, Shqipëria dhuron deri një Kampion të Europës në sportin që njihet si Mbretëreshë, atletikës së lehtë pra. Dhe të një gare të saj që është piktura më ekspresive e elegancës së saj, kërcimi së gjati, ku hyn edhe kjo me 8.08 metrat spektakolare të Beogradit të Izmir Smajlajt. Mirëpo, “tregu televiziv”, siç ju pëlqen ta quajnë ata që e kanë mendjen veç te fitimet, në Shqipëri shet pra, edhe mall skarco.

Dhe qeveria a shteti që lejon, që nuk bëzan. Madje ka përkujdesje t’u dhurojë edhe frekuenca transmetimi krejt të pamerituara, për të mos thënë të paligjshme. Mesa duket, për të transmetuar, përveç të tjerave, edhe ndeshje të kategorive të ulë- ta të Italisë si kjo Frosinone – Cittadella! Sa poshtë që kemi rënë!… Izmir Smajlaj u shpall, për herë të parë në historinë e sportit dhe të jetës shqiptare, Kampion i Europës. Asnjë televizion shqiptar nuk e transmetoi drejtpërsëdrejti interpretimin e garës së tij madhështore! Asnjë televizion shqiptar, pra as ata që harxhojnë miliona për të transmetuar ndeshjet e futbollit të Kampionateve të shteteve të huaja deri në mërzi – e siç e patë deri dhe ndeshjet e ulëta të komunave mikroskopike të Italisë – nuk denjuan të harxhonin asnjë euro, dollar apo lek, për të transmetuar Kampionatin Europian të Atletikës së Lehtë, këtë Beograd 2017!

Ia arrita më në fund, të gjej në androidin tim transmetimin e drejtpërdrejtë, pa asnjë ndërprerje të këtij Kampionati, te RTS 2 i Serbisë. Mandej, i telefonove presidentit të Federatës Shqiptare të Atletikës së Lehtë, Gjergj Rulit, për ta përgëzuar atë dhe sidomos Izmir Smajlajn dhe trajnerin tashmâ ndër më të mëdhenjtë e të gjithë historisë së sportit shqiptar, profesor Vildan Tufin. Ndërkaq, pyeta se kur do të bëhej ceremonia e zyrtare e fitimtarit, ajo e medaljes, flamurit dhe Himnit të Republikës së Shqipërisë, ditën e nesërme. Të nesërmen prapë shkova te RTS2 i Serbisë dhe “live”, siç thonë armiqtë e gjuhës shqipe, pashë gjithçka deri në hollësi.

Madje, duke qenë blatues i kësaj ceremonie medaliste, një nga më të mëdhenjtë atletë të botës së kësaj gare, Nenad Stekic i Jugosllavisë së mëparshme, çka aq fort e nderonte suksesin e Izmir Smajlajt. E ndoqa me vëmendje skrupuloze telekronistin apo komentatorin vendas (e dihet që ata kanë një shkollë të famshme të këtij zhanri që me Radivoje Markovic, Dragan Nikitovic, Marko Markovic, Mladen Delic, Vladan Stojakovic e të tjerë). Me një profesionizëm të rrallë, me një objektivitet për t’u marrë shembull, ai e ngriti tejet lart arritjen e Smajlajt.

Dhe në të dyja rastet, publiku beogradas që duartrokiti. Pa harruar sjelljen tejet modeste e të qytetëruar të Kampionit të Europës, Izmir Smajlaj, i cili për shtypin deklaroi falënderimin e tij për respektin që tregoi ndaj garës së tij ky publik. Dhe ishin vërtet të pashlyeshme qëndrimi dhe sjellja prej xhentëlmeni e këtij kampioni të madh 24-vjeçar nga Shqipëria, madje gjatë garës e mbas saj, sidomos në podiumin e nderit me medaljen e artë në gjoks, përballë ngritjes së flamurit kombëtar dhe Himnit të Republikës së Shqipërisë….

Ndërkaq, televizionet shqiptare merreshin me gjithçka, me përjashtim të pasqyrimit të kësaj ngjarjeje madhore, që natyrisht nuk është vetëm sportive. E kuptoj. Këtij shkrimi, përveç titullit të mësipërm, mund t’i vendoja edhe këto tituj të tjerë: Kampioni i Europës Izmir Smajlaj dhe injoranca atletike e sportive në Shqipëri! Kampioni i Europës Izmir Smajlaj dhe personalizimi i skajshëm i Televizionit Publik në Shqipëri! Kampioni i Europës Izmir Smajlaj dhe mungesa e ndjenjës atdhetare e televizioneve në Shqipëri! Kampioni i Europës Izmir Smajlaj dhe guximi bizantin i shpërdorimit televiziv në Shqipëri! Kampioni i Europës Izmir Smajlaj dhe indiferenca qeveritare a parlamentare ndaj televizioneve në Shqipëri! E plot të tjerë…

Tash di dhe shoh. Janë çuar përpjetë të gjithë. Me qeveritarë e deputetë, me olimpikë, me gazetarë e televizione për t’u bërë njësh me Kampionin e Europës, për ta përkëdhelur e përqafuar, për ta uruar me pompozitet e të nxitojnë për tek ai. Sa artificiale, aq e pasinqertë! E kësisoj, krejt e panevojshme. Sepse më e nevojshmja apo më e dobishmja do të ishte që t’i kërkonin të falur për të gjitha. T’i kërkonin të falur që nuk i kanë ndërtuar një pistë, madje të hapur e të mbyllur.

Që nuk e shpërblejnë për së mbari atë dhe trajnerin e tij, Vildan Tufi. Që nuk duan t’ia dinë nëse ekziston apo jo sporti i atletikës së lehtë. Dëgjojini sa pompozë janë kur përgëzojnë, teksa gjithnjë e më shumë u mungon, jo thjesht kultura atletike a sportive, por edhe ajo tanësore. Se sa për kulturën sportive të gazetarisë, sidomos asaj të folur, kemi rrëshqitur keqas, teksa kujton se Shqipëria është i vetmi shtet në Europë që sot nuk ka një telekronist komentator për atletikën e lehtë! Nuk njohin as rekordet botërore e kombëtare. Nuk po mëtoj që t’i kenë në kujtesë, por që t’i kenë në blloqet e shënimeve të tyre. A nuk i shihni që nuk kanë kurrnjiherë blloqe të këtilla?..

Merrini në provim, po të doni. Madje, kjo është krejt normale. Bie fjala, kur ti emëron, qoftë dhe për urdhra partiake, “me konkurs” një drejtor të sporteve në RTSH, e ke detyrim edhe njëlloj provimi ndaj tij për dijenitë sportive e të gazetarisë. Dhe le të mbyllim me thelbin e këtij shpërdorimi: Si ka mundësi që Radiotelevizioni Publik Shqiptar nuk e transmetoi Kampionatin Europian të Atletikës së Lehtë?

Nuk po shkoj te të tjerët, ato jopublikë, se kuptohet që edhe pse kanë leje shtetërore për të bërë televizion për publikun edhe ata, është kuptuar tashmâ, që nuk duan t’ia dinë fort për ksi tematikash. Dhe kur them përse nuk e bëri transmetimin e Kampionatit Europian të Atletikës së Lehtë Radiotelevizioni Shqiptar, këtë nuk e kam thjesht ngaqë ishin dy atletë shqiptarë që pretendonin. Ndoshta më parë se kjo, e kam ngaqë kjo është një ngjarje e madhe sportive kontinentale e një sporti mbarëbotëror të kulturës së njerëzimit: sporti numër 1, që është Mbretëresha Atletikë.

Dhe ai që i izolon shqiptarët e Shqipërisë demokratike (jo të diktaturës) prej një Kampionati të tillë, doemos duhet të marrë dënimin e merituar administrativ dhe profesional. Aq më fort, mandej, kur dihej që më parë, se dy atletë shqiptarë, Smajlaj dhe Gega, synonin medalje. Është pak t’i thuash injorancë dhe mospërfillje. Është mbi të gjitha personalizim i Televizionit Publik Shqiptar. Me një fjalë, e di unë se çka bëj e ti mbylle gojën! E di unë se ç’të transmetoj e ti hesht! E di unë se çka bëj me televizionin “tim”, që ma ka lënë baba! E ti telespektator, sportdashës apo shtetas i Republikës së Shqipërisë, më dukesh një mizë!

Duket diçka e vogël e gjitha kjo, apo jo? Punë e madhe se nuk u transmetua drejtpërdrejt gara e Kampionit të parë Shqiptar të Europës në Atletikën e Lehtë, ceremonia e medaljes së tij të Artë, Himni, Flamuri, Shqipëria. Ti po deshe shko te RTS 2 e Serbisë në androidin tënd. Unë për ty kam vetëm një fragment transmetim të vonshëm me një “copy-paste”. Kaq meriton ti, shqiptari që nuk di a je i imi apo i dikujt tjetër! Nuk arrij të paramendoj nëse do të bëhet shkas ky shpërdorim i detyrës dhe funksionit të një Televizioni Publik për një analizë, për një përgjegjësi, pse jo, për një masë të drejtë administrative, për një ndryshim a rishikim të njerëzve të papërgjegjshëm, deri te se kush është ngjitur me pa të drejtë aty, qoftë dhe në sektor a drejtori sportive.

Megjithatë, nuk kam shpresë për këtë, sepse jam me sy në ballë dhe e shoh se çka ngjet përreth dhe se sa e fuqishme është mosndërgjegjja, paaftësia, joatdhetaria. Ajo për çka jam i sigurt është kjo tjetra: që gjashtë muaj para se të zhvillohet, për natë do të dëgjoj në RTSH reklamën e shfrenuar për Festivalin e Këngës që mbyllet me fjalët që si në asnjë vend tjetër të Europës, po bëhen shekullore, teksa thonë: “Kënga fituese do të shkojë në Eurosong”. Gjashtë muaj propagandë për tri minuta këngë!

Asnjë minutë për titullin të përjetshëm të Kampionit të Europës! Kampioni i Europës, Izmir Smajlaj, u kthye madhështor në Shqipëri, duke i dhuruar kombit të tij ndoshta arritjen më të madhe sportive në histori. Për fatin e tij kur u kthye, papritmas mësoi se ishte ndodhur përballë një “armiku” të paparashikueshëm. Ishte Televizioni i vendit të tij. Ishin televizionet indiferente të shtetit të tij. Nuk di a e patë parmbrëmë ndeshjen Frosinone – Cittadella!…

*Marrë nga gazeta “Panorama”