Ditën e premte do të luhet ndeshja më e rëndësishme e kampionatit kombëtar të basketbollit për meshkuj, ajo në mes ekipit kampion në fuqi- Kamza Basket dhe skuadrës nënkampione- Vllaznisë. Ndeshja do të luhet në pallatin e sportit të Kamzës pasditen e së premtes në orën 19.00. Trajneri I ekipit shkodran Bledar Gjeçaj e ka konsideruar shumë të rëndësishme këtë ndeshje për renditjen e mëtejshme në kampionat dhe ka shprehur besimin për një tjetër fitore të ekipit  të tij. “Ballafaqimet me Kamzën shërbejnë për të matur forcat tona por edhe për t’u pozicionuar në renditje në mënyrë që të kapim ne vendin e parë për ta patur më të lehtë pastaj play-off-in sepse do kemi mundësi të luajmë një ndeshje më tepër në fushën tonë. Jemi të përgatitur për të bërë një ndeshje të mirë dhe tashmë të shohim si do të paraqitemi në fushën e lojës”- ka thënë ai.Ndërkohë, trajneri Gjeçaj ka dhënë edhe lajmin tjetër se finalet e Kupës së Shqipërisë në basketboll me shumë mundësi tashmë do të zhvillohen në Shkodër pas rregullimit të problemit të aspirimit të pallatit të sportit. “Tashmë që problemi i aspirimit të pallatit të sportit po merr zgjidhje, jam i bindur se finalet e Kupës do zhvillohen në Shkodër në mesin e muajit dhjetor dhe kuptohet që edhe në këtë kompeticion, do të kërkojmë të jemi ekip i dorës së parë”-ka thënë trajneri i kuqebluve.Por më shumë sesa tek kupa, vëmendja e pjestarëve të ekipit të basketbollit të Vllaznisë është e përqendruar tek ndeshja e së premtes me Kamzën që do të përcaktojë edhe skuadrën e vendit të parë pas fazës së parë.

Gjergj KOLA