Erkand Qerimaj mbyll sot në mbrëmje në orën 19:55 përfaqësimin e Kombëtares shqiptare në kampionatin botëror të peshëngritjes për të rritur, që po mbahet në Vroklav të Polonisë. Një ditë përpara garës në peshën 77 kg, bateria A, shkodrani parashikon një konkurrim të fortë. “Ndjesitë përpara garës së Botërorit janë pozitive. E rëndësishme është që nuk kam asnjë problem dhe mezi po pres të ngjitem në pedanë. Shpresoj që nesër (sot) konkurrimi të jetë i mbarë dhe të dal te forma ime më e mirë. Rezultati im më i mirë në një kampionat botëror është vendi i gjashtë në dygarësh dhe vendi i katërt në stilin e shtytjes.

Me përgatitjen e deritanishme pretendoj për më lart”, deklaroi peshëngritësi i Kombëtares shqiptare Erkand Qerimaj. Në deklarimin në dygarësh përpara Botërorit, shkodrani ka shpallur peshën 359 kg, ndërsa peshën më të madhe e ka deklaruar iraniani Rasul Tagian me 365 kg. Në baterinë A garojnë 11 peshëngritës. Qerimaj shoqërohet në Vroklav të Polonisë nga trajneri i tij Zef Kovaçi.