MFC Panthers Shkodër u shpall fituese e Kupës së FSHF pak ditë më parë në futbollin amator 9X9. Në krye të këtij ekipi ishte presidenti Ergin Axhani, i cili mori përsipër një angazhim të tillë me këtë skuadër në futbollin amator 9X9.

Në fakt, ai ishte i pari që besonte shumë në fitimin e një trofeu me MFC Panthers Shkodra dhe realisht, e arriti një gjë të tillë. Padiskutim që, ky ekip zhvilloi paraqitje fantastike edhe në ndeshjet e kampionatit, duke qenë pretendent dinjitoz për fitimin e titullit kampion, por fatkeqësisht një gjë e tillë nuk u arrit. Megjithatë, MFC Panthers Shkodra nuk u dorëzua dhe luftoi fort për të fituar trofeun tjetër, i dyti për nga rëndësia e këtij sezoni, FSHF Cup.

Kështu, duke pasur në krye të skuadrës si trajner një emër shumë të njohur të futbollit shkodran si Fatmir Axhani, i cili është edhe babai i Ergit, që të dy së bashku morën përsipër këtë angazhim dhe prodhuan rezultate pozitive me MFC Panthers Shkodra, teksa në fund fituan edhe Kupën e FSHF në futbollin amator 9X9.

Realizimi i objektivit për fitimin e njërit prej trofeve është padyshim një nxitje për presidentin Ergi Axhani, i cili ka marrë përsipër të dhurojë surpriza të tjera në vazhdim me këtë ekip. Në një intervistë për “Shkodra Sport”, presidenti Axhani u shpreh se emrat e njohur të futbollit që bëjnë pjesë në këtë ekip e kanë bërë më të lehtë fitimin e Kupës dhe ecurisë pozitive në kampionat. Më poshtë, mund të lexoni intervistën e dhënë për gazetën “Shkodra Sport” me gazetarin Maringlen Zhivani.

-President, MFC Panthers u shpall fituese e Kupës së FSHF, besoj mjaft i kënaqur që u arritën objektivat apo jo?

Në fakt, nuk jam plotësisht i kënaqur, pasi objektivi jonë ishte titulli kampion. Ekipi që ne u eleminuam me penallti pas një loje të dominuar nga ana e ekipit tonë u shpall kampion. Mund të them që ne e dhuruam titullin.

– Besoj kur e morët përsipër angazhimin me Panthers, kishit vendosur një bast me veten për të sjellë një trofe në Shkodër apo jo?

Në fakt, bastin e kishim vendosur të gjithë bashkë që do të fitonim edhe kampionatin edhe Kupën, pasi në përbërje të ekipit kemi futbollistë shumë të mirë që besoj se mund të japin kontribut edhe në futbollin profesionist.

-Panthers kishte brenda edhe shumë elementë cilësorë me disa ish-futbollistë që arritët t’i riktheni për të luajtur, ua bënë më të lehtë ata këtë sukses?

Patjetër që eksperienca e tyre na ndihmoi në ecurinë e suksesshme që kishim. Me këtë rast, dua t’i falënderoj të gjithë për kontributin e dhënë.


-Sa ndikoi ardhja në pankinë si trajner e Fatmir Axhanit, pasi realisht duket se edhe ai ka merita të mëdha për këtë sukses?

Ardhja në pankinë e profesor Fatmir Axhanit kishte një impakt shumë pozitiv, pasi me eksperiencën e tij, ekipi u konsolidua edhe më tepër.


-I keqardhur që nuk arritët të fitonit edhe titullin kampion?

Në fakt, duke marrë parasysh se si shkoi ndeshja e play-offit, të them të drejtën ndjehem i keqardhur, pasi mundësitë ishin të shkonim deri në fund, por pavarësisht eleminimit, si vit i parë që ne merrnim pjesë në këtë kampionat, e konsideroj pozitive ecurinë tonë.


-President Axhani, cila do të jetë e ardhmja e MFC Panthers, mund të ketë sërish surpriza të tjera në vazhdim nga ky ekip?

Tani kemi edhe finalen e Superkupës për të luajtur që shpresojmë ta mbyllim me sukses. Më pas, do bëjmë një analizë më të detajuar me djemtë dhe do vendosim së bashku për të ardhmen.
Maringlen ZHIVANI