Kapiteni Erdenis Gurishta para pak ditësh ka ndryshuar statusin personal, pasi është fejuar. Por, ai do të kishte dashur që këtë ngjarje ta kishte shtyrë edhe për pak kohë, gjë e cila përkthehet me kalimin e Vllaznisë në turin e tretë të Konferencë Ligës.

Megjithatë, kjo nuk ka ndryshuar aspak tek ai për sa i përket aspektit profesional. Mendja e tij është te Vllaznia dhe sezoni i ri. Ja intervista ekskluzive e kapitenit të Vllaznisë për “Panorama Sport”:


Urime për ndryshimin e statusit tuaj, pasi jeni i sapofejuar…

Shumë faleminderit për urimin. Të dielën kam ndryshuar statusin tim, por në fakt ka qenë një premtim mes meje dhe së fejuarës sime, që fejesën do ta shpallnim kur të merrte fund aventura europiane e Vllaznisë. Kisha shumë dëshirë që ta shtyja edhe pak fejesën. (Qesh…)

Sa pozitivisht pritet që të ndikojë ky ndryshim te ju?

Sigurisht që fejesa është diçka shumë e rëndësishme për çdo njeri dhe jam i lumtur që e hodha këtë hap. Ndërsa unë në fushë do të jem edhe shumë më mirë se vitin e kaluar.


Duke u kthyer te Vllaznia, ju vjen keq që nuk arritët të kalonit në turin e tretë të Konferencë Ligës?

Normal që të vjen keq, sepse mundësitë ishin për të kaluar dhe këtë raund. Gjithsesi, kjo duhet të na shërbejë shumë për të ardhmen, pasi kemi fituar eksperiencë edhe në nivel ndërkombëtar, gjë që na mungonte.


Çfarë nuk shkoi te kjo mosarritje?

Pak mungesa e eksperiencës në nivele të tilla, pak fati, si dhe pak niveli i kundërshtarit, sepse për hir të së vërtetës kishte cilësi shumë të mira në përbërje. Gjithsesi, ne dalim me kokën lart nga ky kompeticion i parë pas afro 10 vitesh mungesë në Europë.


Si e shikon kapiteni Gurishta Vlazninë e sezonit të ri?

Pa dyshim që tashmë është rikthyer ajo Vllaznia e frikshme. Vllaznia që luan futboll të hapur dhe të bukur dhe çdo tifoz kënaqet me futbollin tonë. Mendoj se është ajo që të gjithë presin.


Po bëhen disa lëvizje në merkato, sipas jush ku ka më shumë nevojë ekipi që të forcohet?

Përveç portës, ekipi ka nevojë në çdo repart për lojtarë shumë cilësorë, sepse kampionati është i gjatë. Shpresoj që të vijnë lojtarët e duhur që të na ndihmojnë në arritjen e objektivave.


Mendoni se Vllaznia e këtij sezoni do të jetë më e fortë sesa ajo e vitit të shkuar?

Janë larguar disa lojtarë cilësorë, por klubi po mendon dhe po punon për zëvendësimin e tyre. Besoj se do të jemi më të fortë sesa vjet dhe këtë sezon do të kemi objektiva shumë madhorë.