Tek Vllaznia vijojnë me intensitet përpjekjet për ndërtimin e skuadrës së sezonit të ardhshëm. Largimet e Imamit, Dilaver e Kaleziç, pas lojtarëve që ishin larguar në qershor, ka krijuar një boshllëk të madh në skuadër. Me përjashtim të portës, të gjithë repartet e tjera kanë nevojë për ndërhyrje.

Për mbrojtjen, pas firmës me Diagne, duhet medoemos edhe një qendërmbrojtës tjetër. Po ashtu, duhen edhe dy mesfushorë qendre e mundësisht edhe një sulmues tjetër përveç kroatit Aralica. Se cilët do të jenë lojtarët që do të vishen kuqeblu, këtë për momentin askush nuk mund ta thotë.

Edhe bisedimet me dy lojtarët e përfolur në media, maqedonasin Stoilov dhe vlonjatin Telushi nuk kanë shkuar ashtu si duhet e për rrjedhojë, asnjëri prej tyre nuk do të bëhet pjesë e Vllaznisë. Kjo ka bërë që njerëzit të cilët po merren me merkaton, të mendojnë për të tjera pista.

Stafi teknik i Vllaznisë i ka kërkuar drejtuesve të klubit që merkatoja duhet mbyllur deri më 15 gusht, periudhë kur ekipi do të shkojë për stërvitje jashtë vendit. Atë ditë, në dispozicion të trajnerit Brdariç dhe ndihmësve të tij duhet të jenë të gjithë lojtarët që mendohet të jenë pjesë e skuadrës për sezonin e ri.

Sezoni do të nisë me finalen e Superkupës ndaj Teutës që do të luhet më 28 gusht dhe që shkodranët do të tentojnë ta fitojnë. Megjithatë vëmendja kryesore do të jetë e përqendruar tek kampionati dhe kupa. Kuqeblutë do të kërkojnë të luftojnë për fitimin e të dy trofeve dhe ndonëse gara pritet të jetë shumë e vështirë, ata duken të jenë shumë ambiciozë.

Paraqitja në sezonin që sapo u mbyll, i ka ngrohur të gjithë dhe si rrjedhojë tashmë besimi është i madh që mund t’ia dalin sërish të jenë pretendentë deri në fund për fitimin e këtyre trofeve./SHKODRA-SPORT.COM/