Erdenis Gurishta beson se Vllaznia do ta nisë sezonin 2021- 2022 me trofe. Më 28 gusht shkodranët luajnë finalen e Superkupës ndaj Teutës në stadiumin “Elbasan Arena”, aty ku do të kërkojnë të mposhtin durrsakët, për t’u treguar se e meritonin ata të fitonin titullin.

Kapiteni kuqeblu, në intervistën për “Panorama Sport”, thekson se edhe 20% e opinionit që nuk bindej për Vllazninë kampione në sezonin e kaluar, do t’i mbushet mendja pas ndeshjes me Teutën. Gurishta flet edhe për dëmtimin që pësoi në miqësoren ndaj Tërbunit, por gjithashtu për pritshmëritë që ka për kampionatin, i cili nis më 11 shtator.


Erdenis, pësuat një dëmtim në miqësoren ndaj Tërbunit. Si është gjendja juaj tashmë dhe sa ditë do të qëndroni larg fushave?

Gjendja duket më e mirë. Pas kontrolleve mjekësore që bëra, doktorët më kanë rekomanduar një javë terapi dhe pastaj do të shikohet përsëri gjendja ime. Ishte një kontraktim muskulor, që besoj do të më kthejë shpejt në fushë.

Rrezikoni të humbni përballjen e Superkupës ndaj Teutës?

Shpresoj që jo. Po punoj të jem 100% gati për datën 28 gusht.


Të dielën Vllaznia luan një miqësore “klasike” ndaj Tiranës. Ju vjen keq që nuk do të jeni?

Duke pasur parasysh rëndësinë dhe traditën që ka ndeshja Vllaznia-Tirana, sigurisht që çdo lojtar dëshiron të luajë. Por, në këto momente, më i rëndësishëm për mua është rikuperimi për Superkupën.


Prisni që këtë sezon ta nisni me trofeun e Superkupës?

Po, shpresoj shumë ta nisim sezonin duke fituar trofeun e Superkupës ndaj Teutës. Do të ishte diçka pozitive për ecurinë e skuadrës, pasi më pas fillon edhe kampionati.


Përballë do të keni Teutën, rivalin direkt të sezonit të kaluar, ku u dogjët për titullin vetëm prej golavarazhit. Është kjo një sfidë inati që duhet ta fitoni patjetër?

Jo gjithmonë nënkupton që fituesja e Superkupës e ka merituar titullin kampion, por në këtë rast, nëse ne do ta merrnim këtë trofe, besoj që edhe 20% e opinionit që nuk ishin të bindur që ne e meritonim titullin, do të binden këtë herë.


E shikoni më të fortë Vllazninë e këtij sezoni apo mendoni se largimet e kanë dobësuar ekipin?

Në këtë moment nuk mund të jap një konkluzion të qartë, sepse kjo do të shihet më mirë gjatë kampionatit. Miqësoret që kemi zhvilluar nuk janë një tregues i vërtetë i forcës reale të skuadrës. Më shumë janë për ambientimin e lojtarëve të ardhur, gjithashtu janë një test për të rinjtë që t’i tregojnë stafit teknik vlerat që kanë.

Pas Kupës së Shqipërisë që fituat në sezonin e fundit, besoni se këtë kampionat është momenti që Vllaznia të bëjë hapin e madh, pikërisht titullin?

Besoj shumë që ky sezon të jetë viti që do të ngremë lart trofeun e kampionatit. Mundësitë janë, por duhet luftuar dhe sakrifikuar shumë që ta arrijmë.