Roko Vata vazhdon të jetë një nga talentet më premtues të Sëlltikut në Skoci. 17-vjeçari është stërvitur në pjesën më të madhe të sezonit me skuadrën e parë, teksa është një nga pikat kyçe te ekipit B.

Në ndeshjen e fundit që ishte titullar, Vata shënoi dy herë, por fatkeqësisht doli nga fusha e lojës i dëmtuar dhe duket do t’i duhet pak kohë për t’u rikuperuar.

Gjithsesi, kapiteni i “keltëve”, Kallum MekGregor, nuk i ka kursyer elozhet për djalin e ish-kapitenit të Kombëtares, Rudi Vata, duke e motivuar të kthehet më i fortë se kurrë.

“Ai po tregon mjaft mirë me akademinë. Ka shënuar disa gola për skuadrën B, e cila është gjë e madhe. Kjo është ajo që duam dhe ne, të mbështesim sa më shumë produkte të akademisë, t’i afrojmë në skuadrën e parë dhe t’i ndihmojmë që të arrijnë nivelin për të qenë pjesë e ekipit”, ishin fjalët e para të MekGregor.

Më pas ai shtoi: “Roko ka qenë rreth skuadrës që nga faza përgatitore dhe po bën një punë mjaft të mirë. Shpresoj që të rikuperohet sa më shpejtë nga dëmtimi. Është e mrekullueshme të shikosh djemtë e rinj që vijnë dhe punojnë fort për të arritur ekipin e parë.

Nëse arrijmë të marrim sa më shumë prodhime akademie që është e mundur, atëherë besoj se do të jetë një mundësi e mirë për klubin që të hedhë hapa para”.