Kastrioti kërkon të rikthejë sulmuesin brazilian, Dejvid de Silva, i cili është larguar së fundmi nga Tirana.“Panorama Sport” zbulon nga burime të sigurta në klubin krutan, se 26-vjeçarit që shkëlqeu me Kastriotin dy sezone më parë, i është bërë së fundmi një ofertë zyrtare.
Mirëpo, nga sa mësohet, sulmuesi ka lënë gjithçka pezull, pasi kërkon të rikthehet në vendin e tij, Brazil. Gjithsesi, në klubin krutan nuk i kanë humbur shpresat, duke insistuar për ta bindur De Silvën që të pranojë.Çdo gjë do të shikohet në ditët e ardhshme, por vetë lojtari u ka thënë krutanëve se për momentin kërkon të shkojë një herë pranë familjes në Brazil.
De Silva u afirmua në kampionatin shqiptar pikërisht si pjesë e Kastriotit në sezonin 2020-2021, ku në 29 ndeshje të luajtura, arriti të shënojë 10 gola.Më pas u transferua në Portugali te Sporting Covilha, për t’u rikthyer sërish në janar në Superiore, por me fanellën e Tiranës, ku dhe u shpall kampion.
Në 15 ndeshje me bardheblutë shënoi dy gola, ndërsa luajti edhe në Europë së fundmi.Ndërkohë, gazeta mëson se Kastrioti po shikon njëkohësisht edhe mundësi të tjera, për të mos mbetur “peng” i përgjigjes përfundimtare të De Silvës.
Një alternativë e mirë për qendrën e sulmit është lojtari nga Mozambiku, Arturo Rexhinaldo, i cili aktualisht është pjesë e Dinamos, që zbriti në Kategorinë e Parë.Nuk përjashtohet mundësia që klubet të arrijnë një marrëveshje dhe Rexhinaldo të luajë këtë sezon në Superiore me fanellën e Kastriotit.