Veleçiku ka mposhtur me rezultatin 3-1 Naftëtarin në ndeshjen e rradhës, atë të javës së nëntë të luajtur pasditën e sotme. Në takimin e luajtur në impiantin “Vëllezërit Duli” në Koplik, futbollistët e drejtuar nga trajneri Dritan Smajli kanë mposhtur në të gjitha drejtimet Naftëtarin dhe kanë qenë pikërisht ata që kanë shënuar të parët me anë të Hajdarit në minutën e 11-të.

Më pas, goli i dytë për Veleçikun ka ardhur në minutën e 24-të nga i zakonshmi Arsen Banushaj. Pjesa e parë nuk ka dhuruar gola të tjerë dhe mbyllet me rezultatin e pastër 2-0 për vendasit.

Ndërkohë, në fillimin e pjesës së dytë, Naftëtari ngushton rezultatin në 2-1, por vetëm kaq sepse Rragami do të shënonte edhe një gol tjetër për Veleçikun, që fiton 3-1, duke marrë një trepikësh me shumë vlerë.

Me fitoren ndaj Naftëtarit, Veleçiku është ngjitur në kuotën e 18-pikëve dhe mban vendin e tretë në renditje. Megjithatë, për të arritur synimin e tij, i cili është ngjitja në Kategorinë e Parë, i duhet ende edhe shumë pikë të tjera për të siguruar objektivin që ka. /Maringlen ZHIVANI/

Veleçiku-Naftëtari 3-1

Golat për Veleçikun: Hajdari 11’, Banushaj 24’, Rragami 73’

Formacioni i Veleçikut (4-2-3-1): L. Kaçaj, Rrustemaj, Çokaj, Zefi, Am. Kaçaj, Kaçeli, Bardulla, Elbasani, Rragami, Banushaj, Hajdari (u aktivizuan: Shekaj, Mehmetaj, Ivziku) Tr: Dritan Smajli