Pas disa rezultateve negative, ekipi i Besëlidhjes ka pësuar sërish një tjetër humbje në fushën e saj në Lezhë ditën e sotme. Një gjë e tillë ka ndodhur në ndeshjen ndaj Korabit, të cilën e ka humbur në shifrat e ngushta 0-1.

Një rezultat ky që prish shumë plane për lezhjanët, të cilët duhet të mendojnë çdo mënyrë për të shpëtuar rënien nga Kategoria e Parë. Realisht, duhet thënë se përpjekjet për të shënuar dhe për ta fituar ndeshjen nuk kanë munguar për Besëlidhjen, por pjesa e parë nuk ka dhuruar gol.

E njëjta situatë edhe në të dytën dhe kur pritej që vendasit të gjenin rrugën e rrjetës, ka ndodhur e kundërta. Në minutën e 78-të, pas një gabimi të futbollistëve të Besëlidhjes, Korabi arrin të shënojë golin e parë dhe të vetëm të gjithë ndeshjes me anë të Lilës.

Në vijim të takimit, pavarësisht përpjekjeve deri në vërshëllimën e fundit të gjyqtarit Blerim Ziri, nuk ka patur zhvillime të tjera dhe për rrjedhojë, Besëlidhja mposhtet në këtë ndeshje me rezultatin e ngushtë 0-1.

Me këtë humbje, lezhjanët mbeten në kuotën e 10-pikëve, duke qëndruar tashmë të fundit në renditje, me gjërat që vështirësohen gjithnjë e më shumë për ta. Ndërkohë, për Besëlidhjen në këtë ndeshje luajtën 90-minuta të plota edhe dy futbollistët shkodranë, pikërisht kapiteni Klejdi Dibra dhe mesfushori Samet Hepaj.
Maringlen ZHIVANI