Çiklistët e Vllaznisë, ashtu siç pritej, e kanë nisur mjaft mirë kampionatin kombëtar të këtij viti. Në garën e parë të kësaj veprimtarie të rëndësishme, kanë qenë plot 4 pjestarë të ekipit shkodran që janë ngjitur në podiumin e fituesve.

Kështu, në garën e kronometrit individual të zhvilluar pasditen e sotme në Tiranë, rezultatin më të mirë nga çiklistët kuqeblu e ka arritur Defrim Dholla që në kronometrin individual në kategorinë e juniorëve ka zënë vendin e parë dhe është shpallur kampion kombëtar për vitin 2019.

Ndërkohë në kategorinë kadetë për t’u veçuar është paraqitja e mirë e çiklistit Mateo Balaj që është renditur i dyti në kronometër duke u shpallur nënkampion për këtë vit.

Nga ana tjetër, në garat e kategorisë U23 dhe Elitë rivaliteti ka qenë më i madh sepse pjesmarrës në to kanë qenë edhe sportistët të tillë si Ylber Sefa dhe Kliti Jaku që stërviten prej vitesh në Belgjikë dhe Itali.

Për rrjedhojë, ata kanë dominuar në këtë garë teksa Ylber Sefa është shpallur kampion në kategorinë ELITE ndërsa Kliti Jaku në atë U23. Në këtë të fundit, në vend të dytë është renditur çiklisti i Vllaznisë Bruno Kola.

Edhe vendi i tretë i kësaj kategorie i ka takuar një tjetër pjestari të ekipit shkodran, Marçelo Kolës që ka plotësuar kësisoj podiumin e kësaj gare.

Katër shkodranë në podium sigurisht që është një rezultat për t’u evidentuar kur kemi parasysh se në këto gara mungojnë për arsye dëmtimesh edhe dy pjestarë të tjerë të ekipit të Vllaznisë, Astrit Kronaj dhe Samuen Bajrami që janë të dëmtuar.

Nesër ndërkohë është gara e dytë dhe e fundit e Kampionatit Kombëtar, ajo e rezistencës ku sërish çiklistët kuqeblu do të synojnë suksesin.
© shkodrasport.com