Kampionati kombëtar i basketbollit të meshkujve u mbyll në javën e fundit të muajit maj dhe që prej atij momenti, ekipet kanë marrë pushimet. Kështu ka ndodhur edhe me Vllazninë, ekipin që në fakt u stërvit edhe pak ditë më pas, por që atëherë, basketbollistët janë lënë pushim.

Një situatë aspak e këndshme por kështu ndodh në basketbollin shqiptar dhe përgjegjësia kryesore për këtë gjë bie kryesisht mbi Federatën. Kjo e fundit ende nuk ka zyrtarizuar datën se kur do të nisë kampionati i ri dhe në këto kushte, kuptohet që ekipet nuk mund të planifikojnë asgjë sa i takon nisjes së përgatitjeve.

Kështu po ndodh edhe me ekipin e Vllaznisë. Trajneri Gospodinov e ka shprehur në prononcimet e tij të mëparshme se pret pikërisht zyrtarizimin e datave të kampionatit të ri, për të planifikuar më pas edhe fazën përgatitore. Nga sa duket sezoni i ardhshëm do të startojë përsëri në muajin tetor dhe kjo në fakt nuk është aspak e përshtatshme.

Basketbollistët kanë bërë një muaj e gjysëm pushim deri tani dhe do të vazhdojnë sërish të jenë pushim edhe për disa kohë. Padyshim që kjo ndikon në formën e tyre sportive megjithatë ky është realiteti shqiptar. Tek Vllaznia ndërkohë me përjashtim të zyrtarizimit të trajnerit të ri, ende nuk ka asnjë lëvizje tjetër sa i takon ndërtimit të skuadrës.

Flitet vetëm për rikthimin e tre shkodranëve, pikërisht Shestanit, Faslisë dhe Daniel Lekndreajt, por me asnjërin prej tyre nuk është firmosur ende kontrata. Premtimet e drejtuesve janë për të ndërtuar një ekip dinjitoz për sezonin e ri megjithatë nuk do të jetë e lehtë sepse edhe ekipet e tjera do lëvizin dhe rivaliteti pritet të jetë shumë i madh.
© shkodrasport.com