Situata tek Vllaznia vazhdon të mos jetë aspak e mirë dhe madje, ajo çdo ditë e më shumë duket se po degradon dhe pasojat mund të ndihen pak më vonë. Pas largimit të disa futbollistëve të rinj, por edhe të mesfushorit Tafili, shumë pranë një veprimi të tillë është edhe portieri Erind Selimaj i cili po ashtu, pritet të kalojë në Kosovë.

Megjithatë, numri i lojtarëve të larguar nuk do të mbetet me kaq. Nga sa është bërë e ditur, edhe portieri tjetër- Alen Sherri, ka shprehur dëshirën e tij për t’u larguar nga Vllaznia. Në ndryshim nga të tjerët, ky i fundit është ende nën kontratë me klubin shkodran dhe për rrjedhojë nuk do ta ketë të lehtë të largohet pa marrë miratimin e drejtuesve të klubit.

Për shërbimet e këtij lojtari vazhdon të jetë i interesuar ekipi i Tiranës por përveç tij, mesa duket në skenë ka dalë edhe një ofertë tjetër nga kampionati shqiptar. Por largimin nuk e ka kërkuar vetëm Sherri. Të njëjtën gjë mësohet se ka bërë edhe mbrojtësi Erdenis Gurishta.

Edhe ai është nën kontratë me Vllazninë, por duke parë që gjërat nuk po shkojnë mirë aty, dëshiron të sistemohet në një ekip tjetër. Ende nuk dihet vendimi që do të marrin drejtuesit e klubit shkodran për këto dy futbollistë, por me shumë të ngjarë nuk do të lejohet të largohen.

Kjo sepse nëse do të ndodhte një gjë e tillë, do të thotë se problemet për kuqeblutë do të thelloheshin edhe më shumë. Këto dy futbollistë, por edhe Krymi apo ndonjë tjetër, janë vlerësuar si baza e ekipit për sezonin e ardhshëm futbollistik.

Megjithatë vonesa në nisjen e punës, ka krijuar një amulli tek lojtarët që po tentojnë të gjejnë një strehë tjetër. Këto padyshim që nuk janë lajme të mira për Vllazninë dhe prandaj të gjithë mbesin me shpresë se gjërat do të ndryshojnë në ditët e ardhshme. Përndryshme pasojat do të ishin të mëdha për këtë skuadër.
© shkodrasport.com