Chelsea ka vendosur të caktojë ish-lojtarin dhe legjendën e klubit, Frank Lampard, si trajnerin e ri të skuadrës pas nënshkrimit të një kontrate trevjeçare.
41-vjeçari largohet kështu nga Derby Count për të marrë drejtimin e klubit ku kaloi 13 vite si lojtar. Ai pason Maurizio Sarri-n në këtë detyrë, pasi italiani u largua në qershor nga “Stamford Bridge” për të drejtuar Juventus-in.
Ish-lojtari i kombëtares angleze, ka luajtur 648 ndeshje me blutë e Londrës, duke fituar 11 trofe gjatë kësaj periudhe. Ai merr drejtimin e klubit në një moment kur është i pezulluar nga merkato për dy periudha transferimesh nga FIFA, një vendim që është apeluar në CAS.
“Jam tej mase krenar që po kthehem te Chelsea si trajner”, tha Lampard. “Të gjithë e dinë dashurinë që kam për këtë klub dhe historinë që kemi ndarë bashkë. Sidoqoftë, jam i përqendruar vetëm te puna që më është dhënë dhe përgatitjet për sezonin që na pret”.
Lampard është trajneri i 10 me kohë të plotë i emëruar nga Roman Abramovich që kur rusi bleu klubin në vitin 2003.