Kombëtarja shqiptare e volejbollit të femrave prej pak ditësh ka në krye të saj një trajner të huaj. Bëhet fjalë për italianin Luca Secchi I cili ka drejtuar disa skuadra në vendin fqinj dhe tashmë vjen në vendin tonë me idenë për ta çuar më lart nivelin e kësaj kombëtareje.

Secchi ka nisur menjëherë nga puna duke grumbulluar ekipin. Ndonëse gjatë kësaj periudhe nuk ka ndeshje zyrtare, kombëtarja shqiptare e volejbollit të femrave do të marrë pjesë në një turne që do të zhvillohet në datat 20-27 qershor në Slloveni.

Për këtë arsye, ekipi është I grumbulluar prej disa ditësh në Tiranë dhe pjesë e tij janë 15 volejbolliste të përzgjedhura nga ekipet e kampionatit shqiptar por edhe të ardhura nga jashtë. Interesant është fakti se ndër këto sportiste të grumbulluara, janë edhe 4 volejbolliste të ekipit të Vllaznisë, të cilat ndonëse janë të reja në moshë, kanë fituar vëmendjen e stafit teknik të ekipit tonë përfaqësues.

Konkretisht bëhet fjalë për sportistet Antoneta Molla, Amela Qershia, Izabela Dodani dhe Stela Kiri. Ato janë duke u munduar të tregojnë vlerat e tyre më të mira në këtë grumbullim, për të bindur edhe trajnerin e ri I cili ka sjellë një frymë të re në stërvitje dhe kjo pritet të japë efektin e vet edhe në rezultatet e kësaj kombëtareje.

Grumbullimi I katër volejbollisteve nga Vllaznia konfirmon edhe njëherë atë që është thënë rregullisht këto vitet e fundit, se në Shkodër po rritet një grup vajzash të talentuara të cilat konsiderohen e ardhmja e këtij sporti.