Olsi Gocaj është një tjetër futbollist që mbylli sezonin me Vllazninë dhe që pret që të firmosë edhe për një sezon tjetër për këtë fanellë.

Pavarësisht se drejtuesit e klubit ende nuk kanë filluar negociatat, disa nga lojtarët që mbajtën veshur fanellën e titullarit sezonin që shkoi janë të bindur që të mos shikojnë asnjë ofertë tjetër pa biseduar më parë me Vllazninë.

Gocaj, ashtu si edhe shokët e tjerë që mbyllen sezonin me kuqeblutë, ka besimin se skuadra do të ribëhet për sezonin e ri. Madje, ai shpreh besimin se skuadra do të jetë më kompetitive.

Në një intervistë për “Panorama Sport”, ai thekson se ka oferta konkrete nga klube të Superiores, por pret të ulet fillimisht me drejtuesit shkodranë.

Gocaj, po bëni disa ditë pushime, a keni marrë ofertë konkrete nga Vllaznia për sezonin e ri?

Nuk jam ulur dhe nuk kam diskutuar akoma me drejtuesit e klubit. Të jem i sinqertë, jam në pritje të ofer tës së klubit. Kontrata më ka përfunduar dhe unë nuk do të marrë asnjë vendim apo nuk i kam dhënë fjalën asnjë ekipi tjetër.

Pra, keni oferta konkrete?

Më kanë kontaktuar klube të Superiores, por më parë po pres atë që do të më afrojë Vllaznia dhe pastaj do të vendos.

Situatë e turbullt te Vllaznia apo nuk bën më përshtypje, pasi kështu ka ndodhur edhe vitet e shkuara…?

Në këtë periudhë kjo ka qenë situata, pasi ribërja ka nisur pas qershorit. Por, ajo që është ndryshe, kësaj here nuk ka një bosht, pasi pjesa më e madhe është pa kontratë.

Tashmë, klubi është në Superiore dhe s’mund të lërë gjërat për në momentet e fundit… 

Janë vetëm disa futbollistë me kontrata dhe disa që presin ofertën. Kam kuptuar që lojtarët e rëndësishëm nuk do të vendosin pa dëgjuar më parë ofertën e Vllaznisë. Për këtë dua të them se është pak e vonuar Vllaznia nga vitet e tjera. Lëvizjet e shumta në asnjë klub nuk vlejnë për mirë.

Sipas jush, Vllaznia do të jetë një skuadër që do të vuajë sërish në kampionat për të mbijetuar apo mund të ribëhet për të qenë kompetitive?

Përforcimet që do të merren duhet që të jenë cilësore. Nuk duhen numra në merkato, por afrime të vlefshme për Superiore. Në këtë drejtim duhet bërë kujdes. Nëse një gjë e tillë arrihet, atëherë edhe mundësitë për të qenë kompetitivë janë të mëdha. Në të kundërt, sërish do të vuajnë për mbijetesë.