Data 22 nëntor do të hyjë në histori për Boca Juniors. Nuk bëhet fjalë për ndonjë përvjetor apo ndonjë fitore të madhe në fushë, por për një triumf jashtë fushe, triumf dashurie.

Mbrëmjen e djeshme më shumë se 60.000 tifozë u paraqitën në Bombonera, për të ndjekur stërvitjen para duelit të së shtunës kundër River Plate, në finalen e kthimit në Copa Libertadores.

Janë ditë historike, nga ato ku mund të krenohesh tërë jetën se ke qenë aty, qoftë edhe për stërvitje, ndaj tifozët e Boca-s kanë vërshuar, duke braktisur gjithçka, edhe punën, për të qenë afër idhujve të tyre.

Presidenti Daniel Angelici dhe trajneri Guillermo Barros Schelotto vendosën që stërvitja të zhvillohej me dyer të hapura dhe përgjigja e tifozëve ishte e mrekullueshme.

Bombonera i tejmbushur, të paktën 50 mijë persona brenda (me siguri ishin shumë më tepër, sepse nuk është se e kishte njeri mendjen të qëndronte ulur në stola dhe u ngjeshën për të qenë të pranishëm), ndërsa një orë para stërvitjes klubi doli me njoftim zyrtar: “U kërkojmë falje gjithë tifozëve tanë që nuk kanë mundur të futen në stadium, por jemi të detyruar të mbyllim dyert e stadiumit, sepse nuk ka më vend. E dimë që jemi miliona, nuk mjafton një stadium për t’i futur të gjithë, faleminderit nga zemra!”.

https://twitter.com/BocaJrsOficial/status/1065697515331305472?ref_src=twsrc%5Etfw%7Ctwcamp%5Etweetembed%7Ctwterm%5E1065697515331305472&ref_url=http%3A%2F%2Ftelesport.al%2Fkjo-eshte-dashuri-e-vertete-60-mije-persona-ne-bombonera-per-stervitjen-e-boca-juniors%2F

Në stadium atmosfera ishte e pabesueshme dhe ushtonte kënga për “ushtarët e vet”.

“Lojtarë, lojtarë; nuk e themi më: Kupa Libertadores nuk na ikën nga duart”.