Opinion nga Fatbardh Jera*

Vllaznia ka dështuar shumë herët në njërin nga objektivat sezonalë, që është Kupa e Shqipërisë. Ky kompeticion lakmohet nga të gjitha skuadrat jo vetëm për trofeun që mund të shtojnë në palmaresin e vet, por kryesisht për të marrë pjesë në Kupat e Evropës. Një “stacion” ku të gjithë lakmojnë të mbërrijnë, si një mënyrë për të rikuperuar edhe financiarisht shpenzimet e bëra. Nëse në kampionat rruga është më e gjatë dhe vështirësia për ta prerë i pari finishin e garës është e madhe, me lloj-lloj pengesash, në kupë llogaritë bëhen ndryshe. Njëlloj projekti se ku duhet të nisen dhe ku do të mbërrijnë duhet ta kenë pasur mbi tavolinën e tyre të punës edhe drejtuesit e Vllaznisë, që kur krybashkiaku Luka vendosi të akordojë një fond të konsiderueshëm financiar për ekipin e futbollit, verën e këtij viti. Fond nga i cili mbërriti trajneri Duro e pas tij disa lojtarë, numri i të cilëve thuajse kapi një skuadër të tërë. Mirëpo, përvec numrit, cilësia e përforcimeve mbetej për t’u provuar javë pas jave, ku reagimi i secilit mund të thuhet se ka rezultuar negativ. Eliminimi nga Kupa e Shqipërisë që në turin e dytë, aq më tepër ndaj një kundërshtari pa pikë pretendimesh në këtë kompeticion, sikurse e tha i befasuar pas ndeshjes së të mërkurës edhe vetë Magani, tregon se kjo Vllazni është larg emrit e traditës së saj. Ky konkluzion vlen si për pritshmëritë rezultative, por edhe të fizolofisë së lojës që zhvillon. Në futboll mund të ndjekësh rrugë të ndryshme për t’u ngjitur sa më shumë drejt majës. Mund të luash bukur e të arrish rezultatet pozitive, cka do të ishte më e mira e mundshme, sepse kënaq edhe tifozët, i bën ata të vijnë të shumtë në numër në stadium. Shembulli tipik në këtë drejtim është Barcelona, e cila ka eklipsuar botën e futbollit me magjinë e saj. Mënyra tjetër është pragmatike: përmes qasjesh cinike taktike ia del të marrësh rezultatet e dëshiruara dhe mbërrin deri tek objektivi madhor që i ke vënë vetes. Celsi i sezonit të shkuar në Ligën e Kampioneve është një ilustrim i tillë, edhe pse diferencat mes dy skuadrave dhe kompeticioneve të marra në krahasim janë shumë të mëdha. Nëse analizon 9 javët e kampionatit dhe ndeshjet e kupës, me keqardhje mund të arrish në përfudnimin se Vllaznia nuk bën as njërën, as tjetrën. Vërtet gara e kampionatit është ende e gjatë, ka javë e javë të tëra për të realizuar qëllimin që i kanë vënë vetes drejtuesit e klubit kuqeblu, por “koha e mirë duket nadje”, thuhet  në Shkodër. Me këtë dua të them se paqëndrushmëria në lojë dhe rezultate, mungesa e një identiteti në mënyrën e të luajturit, i bëjnë pritshmëritë e Vllaznisë jo fort pozitive. Qofsha i gabuar, por dështimi i parakohshëm në kupë është një sinjal alarmues, e tregon të vërtetën lakuriqe, të cilën është kollaj të përcjellësh në heshtje dhe ta mbulosh me “gjethe fiku”. 15 pikët që ka grumbulluar deri më tani i mundësojnë vendin e katërt në kampionat skuadrës shkodrane, por po të futesh më në detaje, të shikosh numrin e golave të shënuar në 9 javët e luajtura deri më tani, konstaton me lehtësi se Vllaznia nuk ka sulm. 10 gola në 9 javë kampionat, që i bie afërsisht nga një gol për ndeshje, janë shumë pak për të kapur Kupat e Evropës. Si i vetmi objektiv që mund t’i përligjë investimet e konsiderueshme të bashkisë për klubin e futbollit, emrin e Vllaznisë. I kujt është faji në këtë drejtim? Para së gjithash i atyre njerëzve që u morën me merkaton, që afruan lojtarë të padenjë për fanellën kuqeblu në këtë repart, edhe pse paguhen shumë shtrenjtë, nëse u referohesh kontratave. Ky gabim, që nuk është i vetmi, e ka penalizuar në mënyrë të konsiderueshme ecurinë e Vllaznisë deri më tani. Eliminimi nga kupa ishte hedhja në erë e gjysmës së objektivit sezonal, ndërkohë që laku sa vjen e ngushtohet edhe në kampionat. Përqendrimi i energjive në këtë kompeticion mund t’i lehtësojë disi fizikisht shpatullat e kuqebluve, por nga ana tjetër shton në maksimum përgjegjësitë dhe ngarkesat psikologjike. Duke qenë se objektivi do të synohet përmes kësaj rruge, Vllaznia është e detyruar të reagojë shpejt, duke nisur nga sfida delikate me Tiranën këtë fundjavë, ndryshe rënia e lirë mund të vijojë e ta bëjë të parikuperueshme situatën. Merkatoja e janarit konsiderohet nga shumë skuadra si njëlloj shpëtimi, por në fakt ajo shërben për të bërë ndonjë meremetim të vogël. Trajneri Duro kërkoi para disa kohësh përforcime të tjera në janar, për t’i përmbushur objektivat, por me të drejtë kryebashkiaku Luka nxitoi të bëjë të ditur se numri i të afruarve në verë ka qenë i konsiderueshëm, ndaj rrugëdaljet duhen gjetur në grupin ekzistues. A jep shpresë e garanci ky grup? Provat për të kundërtën i ka dhënë jo pak deri më tani, eliminimi nga kupa ishte më domethënësi. Atëherë cila mund të jetë zgjidhja? Ajo më duket se është kushtëzuar që në verë, kur u hodhën me shumë bujë themelet e kësaj Vllaznie. Fatkeqësisht!

*Marre nga gazeta “Sport Ekspres”