Ditën e nesërme kampionati kombëtar I futbollit të femrave do të dhurojë një sfidë shumë interesante. Do ndeshen me njëra- tjetrën skuadra kampione në fuqi- Ada, me nënkampionen Juban Danja. Këto dy skuadra, për koinçidensë janë pretendentet kryesore për titullin kampion edhe në sezonin e ri. Ada për të fituar titullin e tretë rradhazi ndërsa Juban Danja për të marrë titullin e parë dhe trofeun e dytë pas Kupës së Shqipërisë sezonin e kaluar. Të dyja ato në merkaton e verës kanë bërë investime shumë serioze teksa kanë marrë në rradhët e tyre futbolliste të kombëtares shqiptare. Tek Ada kanë mbërritur Ana Baro, Marsela Djegsina, Xhemile Berisha dhe Fitime Govori. Këto futbolliste të ardhura, bashkë edhe me të tjerat që kanë patur në përbërje të tyre, kanë bërë që këto dy ekipe të jenë më të mirat e kampionatit në të gjitha drejtimet. Jo më kot, ajo skuadër që do triumfojë në përballjet direkte, do të shpallet edhe kampione  e vendit. Ada në fakt duket disi e favorizuar sepse ajo sot luan për dy rezultate pasi udhëheq aktualisht kampionatin me 9 pikë të plota ndërsa Juban Danja është me 7 duke vuajtur “gabimin” e bërë në ndeshjen e parë me barazimin ndaj ekipit Tirana AS. Atmosfera duket shumë entuziaste dhe në këtë ndeshje pritet të ketë edhe një numër të madh tifozësh të dy ekipeve. “Kemi kohë që përgatitemi për një ndeshje të tillë pasi për të fituar titullin kampion, kuptohet që duhet të mundësh ekipe të tilla si Juban Danja që është konkurrenti ynë kryesor.  Ekipi I Adës është I plotë, ka në gjirin e saj 14-15 lojtare cilësorë, shumica e të cilave janë anëtare të ekipeve kombëtare. Objektivi është I qartë për ta fituar këtë ndeshje dhe mundësitë I kemi megjithatë më shumë rëndësi ka të zhvillohet një takim korrekt ku kuptohet që në fund të dy ekipet duhet t’I shtrëngojnë dorën njëri-tjetrit. Tek Ada është investuar shumë, jo më kot jemi dy herë kampionë të vendit dhe do kërkojmë edhe titullin e tretë për të shkruar kështu historinë e këtij futbolli në vendin tonë”- ka thënë presidenti i Adës Lazër Matija.
Gjergj KOLA