Të shtunën e datës 12 mars, vëmendja spostohet në stadiumin Loro Boriçi aty ku do të luhet edhe ajo që konsiderohet si Klasikja e Shqipërisë, Vllaznia-Tirana.

Të dyja skuadrat vijnë pas barazimeve ku bardheblutë u ndalën në derbi ndaj Partizanit, ndërsa shkodranët po ashtu nuk shkuan më shumë se barazimi pa gola ndaj Kukësit.

Sakaq, në këtë sfidë kryeqytetasit vijnë me dy mungesa të rëndësishme pasi bëhet fjalë për lojtarë titullarë të formacionit të Orges Shehi.

Mbrojtësi i krahut të djathtë Kristijan Tosevski dhe mesfushori i avancuar Ennur Totre u ndëshkuan me kartonë ndaj Partizanit duke plotësuar numrin katër të tyre gjatë sezonit aktual dhe tashmë janë të detyruar të qëndrojnë jashtë fushës për një ndeshje.

Tashmë, tekniku Shehi do të mendojë edhe për zëvendësuesit e tyre, ndërkohë pas dëmtimit i gatshëm tashmë konsiderohet edhe Marsel Ismajlgeci.