Të jesh pjesë e Partizanit, padyshim është nder dhe përgjegjësi e madhe për çdo lojtar që pranon të veshë fanelën e kuqe. Në këto mori lajmesh, Gledi Mici ishte futbollisti që qëndronte “on top” për një transferim të mundshëm në kryeqytet.

Kjo s’ishte hera e parë për mëngjërashin që përflitej për të ardhur te Partizani. Prej 3 sezonesh, mbrojtësi i majtë ka qenë sistematikisht i përmendur nga mediat për t’iu bashkuar të kuqve.

Me të qarkulluar lajmi i një zyrtarizimi të mundshëm, në Kosovë janë vënë menjëherë në lëvizje. Drejtuesit e Prishtinës kanë shlyer një pjesë të mirë të borxhit si dhe kanë mbajtur të njëjtën marrëveshje me Micin sipas kontratës së firmosur para 1 viti e gjysmë.

Kësisoj, me emrin e Partizanit, mbrojtësi i majtë arriti të mbante lart “stekën” e pagës teksa mësohet se merr rreth 72 mijë euro në sezon të Prishtina.

E njëjta gjë ndodhi edhe me Ëngjëll Hotin. Pas largimit nga Tirana, u tha se kishte një klauzolë me bardheblutë që nuk e lejonte të firmoste me Partizanin.

Diçka krejt jashtë logjikes pasi kur një futbollist ndërpret marrëveshjen me një klub ai konsiderohet i lirë dhe juridikisht ka mundësi të veprojë sipas dëshirës. Nëse në rastin në fjalë do të kishte një klauzolë, rrjedhimisht do të ishte pjesë e Tiranës.

Pra, klauzola e pretenduar është thjesht e stisur nga mediat pasi nga ana juridike një gjë e tillë s’mund të ndodhë. Në këto kushte, tifozët e kuq gëzohen kur lexojnë se “Partizani i mori lojtarin Tiranës duke thyer marrëveshjen”.

Por, i vetmi që ka përfituar është vetëm Ëngjëll Hoti që për shkak të një “klauzole” të përmendur arriti të fitonte kontratë, ndoshta dhe për faktin e vetëm se drejtuesit e kuq kërkojnë në sy të mbështetësve të thyejnë çdo lloj barrierë… inekzistente.