Mino Raiola ka dhënë këtë javë një paralajmërim të qartë. “Në mbyllje të këtij edicioni mund të largohet, merkato funksionon kështu”. I referohej një prej lojtarëve të Juventusit, më saktësisht mbrojtësit Matijs De Ligt, i cili i transferuar me shumë bujë te italianët nga Ajaksi, nuk ka patur impaktin që pritej prej tij.

Sipas gazetarit të njohur të “Sky”, Fabricio Romano, Raiola i referohej një klauzole që është vendosur në marrëveshjen mes palëve. Kur firmosi me Juventusin, De Ligt pritej që të ishte titullar i padiskutueshëm, por për t’u ruajtur nga çdo e papritur, Raiola insistoi dhe vendosi një klauzolë largimi që hynte në fuqi që në vitin 2022. Kushdo që kërkon De Ligt, nga vera e ardhshme mund ta blejë atë për 150 milionë euro.

Sigurisht, është një shifër e lartë, por në merkato kanë ndodhur edhe më parë transferime të çmendura dhe Raiola është pikërisht një nga ata që bën realitet të tilla. Fakti është se De Ligt nuk shihet si titullar nga Alegri, i cili i beson verbërisht dyshes Bonuçi-Kielini.

Për këtë arsye, holandezi mund të fillojë të shohë rreth e rrotull dhe të mendojë për të ardhmen e tij, pasi nuk do të dëshironte kurrë që të kthehej në një moshë të re në një lojtar pankine, në Serinë A e për më tepër në radhët e përfaqësueses së Holandës.