Armando Vajushi do të kërkojë largimin nga Liteksi. Lajmin e ka bere te ditur gazeta “Panorama Sport” ne nje interviste te marre lojtarit shkodran. Në një bisedë telefonike për kete gazetë, Vajushi ka treguar vuajtjet në Bullgari dhe arsyet pse synon të kalojë në një tjetër klub në formë huazimi. “Jam shumë i dëshpëruar, nuk më përkrah askush. Menaxheri i klubit më ka gënjyer. Me trajnerin Stoiçkov kam relata të shkëlqyera, nuk është ai problemi”, – thotë ndër të tjera Vajushi. Ja intervista e tij e plote dhene per kete gazete:
Armando, a është e vërtetë se po mendoni largimin nga Liteksi?
Po, e vërtetë. Më datën 12 maj ka mundësi të takohem me drejtuesit për t’u paraqitur zyrtarisht kërkesën time. Do të kërkoj huazimin në një klub tjetër. E di që do të jetë e vështirë, pasi Liteksi ka paguar për kartonin tim. Megjithatë, thjesht huazim do kërkoj, jo prishje kontrate. Ua kam bërë të qartë drejtuesve, që s’kam ardhur këtu për të fituar shumë parà, por thjesht për t’u aktivizuar. Me këtë kontratë që kam te Liteksi, i merrja fare mirë paratë edhe në një klub shqiptar.
Kaq i zhgënjyer jeni nga këto katër muaj?
Natyrisht, pasi disa ndeshje i kam luajtur si titullarë dhe disa si zëvendësues, por ka pasur edhe raste kur nuk jam grumbulluar fare. Për këtë jam mërzitur më shumë, sepse kur firmosa me Liteksin më është premtuar diçka tjetër.
Çfarë më konkretisht?
Nuk është se ka qenë një pikë në kontratë, por mora garanci nga drejtuesit e klubit se do të jem një titullar fiks. Mirëpo, pas katër muajsh qëndrimi te Liteksi, tashmë po më thonë që të kemi marrë për të më afirmuar në sezonin e ardhshëm.
Po trajneri Stoiçkov çfarë ju ka thënë?
Nuk i vë faj trajnerit, absolutisht jo. Problemi është në tjetër vend. Dihet tashmë që çdo trajner ka preferencat e veta dhe Stoiçkov ka disa futbollistë që i ka sjellë vetë te Liteksi. Keqardhja më e madhe është se, edhe sikur unë të jem më i miri në fushë, nëse trajneri do të vendosë për të kryer zëvendësime, i pari jam unë që duhet të dalë nga fusha. Pra, si në çdo klub ka klane dhe disa lojtarë shikohen me syrin e njerkës.
Atëherë kujt ia faturoni realisht këtë situatë?
Unë ndihem i tradhtuar nga menaxheri i përgjithshëm i klubit, pasi ishte ky personi që më premtoi gjithçka. Që pas firmosjes së kontratës, nuk ka ardhur të më takojë një herë për të më ndihmuar. E kam kërkuar, por ka qenë i padisponueshëm. Jam këtu me forcat e mia dhe sigurisht pa përkrahje. Nuk di as gjuhën dhe ndihem shumë në siklet. Ka gjëra që nuk i kuptoj gjatë stërvitjes. Bëj atë që kuptoj, por në shumë raste keqkuptohem. Më duket vetja shumë i veçuar nga pjesa tjetër e ekipit. Mërzitja është e madhe, prandaj dhe po mendoj largimin para kohe.
E keni menduar se më këtë vendim mund të bëni një hap pas në karrierën tuaj?
Jo, nuk është hap pas, sepse unë nuk do ta prish kontratën. Nëse kthehem, jam sërish lojtar i Liteksit.
Po nëse luani në Shqipëri?
Në Shqipëri kthehem vetëm nëse Vllaznia bëhet ekip për kampion. Nëse nuk realizohet diçka e tillë, s’kam ndër mend të kthehem.
A keni variante të tjera?
Sigurisht që po. Kam dy oferta shumë të mira nga klube greke.