Shkodra do të presë ditën e enjte atletët më të mirë të vendit në garat e kërcimeve. Do jetë një aktivitet që do organizohet nga Federata Shqiptare e Atletikës, klubi shumësportësh Vllaznia dhe shoqata e atletikës shkodrane dhe që emërtohet si “Dita e Kërcimeve”. Shefi I klubit shumësportësh Vllaznia Gëzim Mema, duke folur për gazetën online www.shkodrasport.com, ka thënë: “E kemi bërë edhe vite më parë një ditë të tillë kërcimesh sepse janë të vetmet gara që mund të organizojmë në qytetin tonë. Federata ka lajmëruar të gjithë sportistët e ekipeve të vendit që marrin pjesë në këto gara për të qenë të pranishëm atë ditë në Shkodër. Besoj se do jetë një festë e bukur sepse qyteti ynë ka treguar se di të organizojë ashtu siç duhet aktivitete të tilla”. Po atë ditë, pritet që nga ana e Federatës Shqiptare të Atletikës të nderohen edhe disa figura të njohura të atletikës shkodrane në vite, pikërisht sportistë nga garat e kërcimeve.

Por nga ana tjetër, shefi Mema që njëkohësisht është edhe trajner I ekipit të atletikës së Vllaznisë, ka folur edhe për sukseset e fundit të këtij sporti duke thënë se edhe për vitin 2012, atletika shkodrane do ta thotë fjalën e saj ashtu siç duhet. “Atletika shkodrane ka treguar dhe po tregon se është dominuese në të gjithë aktivitetet kombëtare që po organizohen, si me moshat edhe me të rriturit. Fituam kampionatin e 18 vjeçarëve, Kupën e Shqipërisë për të rriturit dhe kemi këtë objektiv edhe për kampionatin kombëtar. Kemi 13 tituj kampion pas viteve ’90 dhe ky është një tregues i saktë e asaj se çfarë pune është bërë. Madje ju garantoj se me elementin që kemi në dispozicion, edhe për disa vite të tjera do të jemi sërish kampionë të vendit”-ka thënë shefi-trajner Mema. Me këto suksese por edhe me një aktivitet të bukur që pritet të organizohet të martën në stadiumin “Loro Boriçi”, atletika shkodrane kërkon ta thotë ashtu siç duhet fjalën e vet.
www.shkodrasport.com