Ashtu siç pritej, klubi Vllaznia mund “t’I hedhë në rrugë” tre futbollistët të saj para mbarimit të kontratës. Bëhet fjalë për tre nga futbollistët e saj të huaj, pikërisht ata të ardhur në merkaton e janarit, Ivan Jabllan, Gordan Vuk dhe Sergi Moreno. Me të tre këta futbollistë, kanë filluar bisedimet për ndërprerjen e kontratës dhe me shumë mundësi, dy prej tyre sot do të largohen nga Shkodra. Kështu, mbas mbarimit të seancës së djeshme stërvitore, drejtuesit e klubit janë mbledhur në zyrat që ndodhen pranë stadiumit dhe kanë thirrur një e nga një të tre këta lojtarë. I pari që është ngjitur në zyrat që ndodhen në katin e dytë pranë stadiumit “Loro Boriçi” ka qenë malazezi Jabllan. Drejtuesit e klubit shkodran janë të zhgënjyer me paraqitjen e këtij sulmuesi. Në 10 ndeshjet e kampionatit që ai ka veshur fanellën e Vllaznisë, ka shënuar vetëm 2 gola, pikërisht në ndeshjet ndaj Kamzës dhe Kastriotit. Përveç dy golave, nuk ka lënë asnjë shije të mirë në paraqitjet në fushë. Në kushte të tilla, sigurisht që ky futbollist nuk do e kishte të gjatë në Shkodër. Por largimin e parakohshëm duket se malazezi 33 vjeçar e ka kërkuar vetë. Në stërvitjen e së hënës, ai nuk ka pranuar të stërvitet me grupin duke thënë se kishte dhimbje në gju. E njëjta situatë edhe dje teksa sërish ka zhvilluar disa vrapime të lehta rreth fushës. Me të mbaruar stërvitja, drejtuesit e klubit e kanë thirrur në zyrë ku ka qenë edhe trajneri Grima dhe pasi e kanë pyetur për dëmtimin, Jabllan ka thënë se është konsultuar me njërin nga pjestarët e stafit mjekësor dhe ai I ka thënë se duhej të pushonte. Drejtuesit e klubit menjëherë kanë kontaktuar me masazhatorin e klubit I cili e ka mohuar një gjë të tillë. Për këtë arsye, sot është lënë që lojtarit t’I bëhet një grafi për të vërejtur nëse ka vërtetë dëmtim apo jo. Nëse rezulton se nuk ka asnjë dëmtim, pritet që Jabllan të penalizohet me një gjobë të majme pikërisht për neglizhencën e shfaqur në stërvitje dhe refuzimin për ta bërë një gjë të tillë. Pas Jabllan, në zyrë është ngjitur kroati Vuk. Nga sa merret vesh, me të është arritur akordi që të ndërpritet kontrata dhe ai të mos dalë më në stërvitje. Megjithatë një vendim I tillë pritet të bëhet zyrtar ditën e sotme. Pak më ndryshe rasti I andorianit Moreno. Edhe me të, drejtuesit e klubit kanë dashur të ndërpresin kontratën ngaqë prej disa javësh nuk po luan. Lojtari nuk ka qenë kundër kësaj por I ka kërkuar drejtuesve të Vllaznisë ta lejojnë të stërvitet me skuadrën për disa ditë ngaqë Brenda muajit maj ai do luajë dy miqësore me kombëtaren e Andorës dhe për rrjedhojë I duhet të mbajë trupin në formë. Lojtari është I gatshëm të paguajë edhe hotelin vetë, me kushtin e vetëm që të vazhdojë stërvitjen me skuadrën për të ruajtur formën. Ende nuk dihet nëse kjo kërkesë do merret parasysh nga ana e drejtuesve të Vllaznisë sepse Moreno nuk është në planet e Grimës për dy ndeshjet e fundit. Pas takimit me këta tre futbollistë, në zyrat e klubit është shfaqur edhe nënkryetari I Bashkisë Troshani që është njëkohësiht edhe kryetar I bordit mbikëqyrës të shoqërisë aksionere dhe me siguri që sëbashku do kenë marrë vendimet përkatëse për këta futbollistë. Vendime këto që mund të zyrtarizohen sot. Kësisoj, tre nga katër blerjet e janarit duket se nuk do e mbyllin sezonin në Shkodër duke treguar edhe njëherë se kanë qenë të dështuara.
Gjergj KOLA