Opinion nga Senad NIKSHIQI

Ka dy tre ditë që Romela Begaj shpërblehet përmes Këshillit Bashkiak të Tiranës me 20 milionë lekë të vjetra për rezultatet e saja në Kampionatin Europian i zhvilluar para pak ditësh. Në Shkodër askush nuk reagon. Madje as Kryetari i Këshillit Bashkiak të Shkodrës Bardh Lohja. As shefat e tij Luka e Troshani që përmes Lohjes në mbledhjen e fundit do thonin se Begaj nuk do marrë asnjë shpërblim dhe i quajtën ”gënjeshtra gazetash”. Tani e vërteta është se Romela me shumë meritë mori atë që i takon. Në Shkodër Erkand Qerimaj edhe pse me rezultat më të lartë se Begaj, ende nuk ka marrë asgjë, madje nga drejtuesit lokal vijon humori e ironia. Biles me mjeshtëri të lartë për t’u patur zili nga aktorët e vërtetë. Tani nga zotërinjtë që një pjesë të ditës e kalojnë në ndërtesën e bukur me stil italian në mes të qytetit na del se nuk paska bazë ligjore për të shpërblyer Qerimajn, Kampionin e Europës në peshëngritje. Unë kam veç një pyetje të thjeshtë: More bashkiakë të nderuar a funksionon i njëjti ligj për të gjitha njësitë vendore në Shqipëri (Bashki e Komuna) apo ne tjerët jemi çmendur e nuk dimë çfarë flasim..? Se përderisa u gjet baza ligjore për Begajn në Tiranë, çfarë mungon në Shkodër nga baza ligjore për të mos shpërblyer Erkandin? Asgjë nuk mungon. Ah, po. Se desh harrova. Mungon diçka. Mungon vullneti, dëshira dhe dashamirësia për t’i dhënë Kampionit të Europës shpërblimin e duhur. E kur mungojnë këto, siç kanë munguar gjithnjë deri tani sa herë Erkandi na ka nderuar me medalje do gjehen justifikime të tilla të kota. E dimë që ka rregullore të brendshme që çdo institucion, pa marrë parasysh, e përdorë në mënyra të ndryshme ndoshta, ama dimë edhe këtë tjetrën që ligji është i njëjtë si në Tiranë, si në Shkodër, si në Vlorë, si në Kukës, si në Sarandë apo si në çdo Bashki të Shqipërisë e Këshill Bashkiak të vendit. Që ta dini ju, historia nuk mbaron këtu. Ka edhe më shumë. Mësohet se sëfundmi Qerimaj ka zhvilluar dy biseda (të paktën këto që kemi mësuar se mund të jenë më shumë) me Kryetarin e Këshillit Bashkiak të Shkodrës, Bardh Lohja dhe Kryebashkiakun Luka. Të dy kanë mbajtur qëndrime të ndryshme çka tregon lëkundjen e tyre dhe mos angazhimin serioz për Qerimaj. Do e filloj me Lukën si më i rëndësishmi në këtë mesele për ta mbyllur me Lohjen se si gjithnjë nga puna e gjatë me Lukën ka nisur të marrë edhe humorinë, ironinë e batutat therëse që ngjallin humor, por nga ai humori i zi. Kampioni i Europës teksa i ka shprehur shqetësimin e tij Lukës si përfundim ka marrë përgjigjen e zakonshme dhe që tashmë ju e keni kuptuar: ”Duhet të presësh se do ta rregullojmë këtë punë”. Në fakt nuk është e re apo e çuditshme sepse Qerimaj po e çon jetën duke pritur ndonëse asgjë nuk ka marrë si shpërblim për rezultatet e tij të larta në arenën Ndërkombëtare. Ndoshta nuk është çudi e madhe sepse termi ”meritokraci” ka vite e vite që është zhdukur nga vendi ynë, thjeshtë egziston në fjalorin enciklopedik, edhe nga aty do humb një ditë sepse kështu veprojnë studiesit e gjuhësisë me termat e fjalët që nuk përdoren më apo njohin ndryshime nga vetë ndryshimet e kohës. Pyetja e radhës që kam është: Zoti (e përdori për etikë ndaj jush) Luka deri kur duhet të presë Erkand Qerimaj..? Edhe sa tituj, medalje apo ku di unë çfarë duhet shpikur ka për detyrë Erkandi të fitojë që ju ta shpërbleni njëherë të vetme..? Besoj përgjigjet i dini dhe besoj se nuk do jeni aq naivë sa do prisni se çdo thotë Kryebashkiaku. Për të vazhduar me Lohjen. Kësaj here nuk do ta besoni. Qerimaj është shprehur me Lohjen se e presin ekipe të tjera me kushte e pagesa shumë më të mira, por ai ka ritheksuar se nuk ka dëshirë ta braktisë qytetin e tij Shkodrën, Vllazninë e dashur. Në këtë moment pa iu dridhur qerpiku Lohja ka deklaruar tekstualisht: ”Erkand nëse ke oferta të tjera me pagesa e kushte më të mira, shko atje, nuk ka problem”. Natyrisht që nuk ka problem Lohja për ju sepse ju duket një barrë e rëndë qëndrimi i Qerimaj në Shkodër ndërkohë që ashtu si gjithë ne do duhet ta kishit cilësuar si një ndër krenaritë më të mëdha që kemi. Flas jo vetëm me fjalë Lohja se ashtu të parët jeni kudo por me vepra. Me vepra sepse këtu jeni të fundit kudo, madje nuk gjej ngjashmëri me diku tjetër per të bërë krahasimin. Kuptoni se në çfarë gjëndje ndodhemi. Njëri thotë: ” dota rregullojmë këtë punë”, tjetri: “ik nga Shkodra nëse kë ofertë më të mirë”. Mjafton besoj për të kuptuar se nuk ka gjasa edhe kësaj here për ti dhënë meritat e duhura Kampionit Qerimaj. Ajo që kam unë, kësaj here si mendim personal është që Bashki e nderuar, sforcohuni vetëm njëherë dhe jepini diçka Qerimaj. Të paktën kësaj here. Pak fare. Aq sa Kampioni ta shkruaj në akull!