Kombëtarja U-17 ka nisur që prej ditës së mërkurë grumbullimin në kuadër të përgatitjeve për fazën ‘Elite Round’ të Europianit të kësaj grup-moshe. Ekipi me 25 futbollistët e grumbulluar për këto kualifikuese nga trajneri Ervin Bulku zhvilluan seancën e parë stërvitore pasditen e së mërkurës në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit”.

Trajneri Ervin Bulku ka grumbulluar 25 lojtarë për këto ndeshje kundër Francës, Zvicrës dhe Letonisë, një pjesë e të cilëve janë ftuar për herë të parë nga Kombëtarja. Njëri prej tyre është mesfushori i Lazios, Kledi Marinaj.

Ai ka lindur në Itali më 7 mars 2006, por prindërit e tij janë me origjinë nga Kastrati i Malësisë së Madhe. Që në moshë të vogël ka zgjedhur të merret me futboll dhe luan prej 4 vitesh është pjesë e Akademisë së Lazios teksa për momentin luan me ekipin U17 të saj në rolin e mesfushorit të qendrës. Kledi ndërkohë gjatë grumbullimit në Tiranë me kombëtaren kuqezi ka dhënë një prononcim për faqen zyrtare të Federatës ku është shprehur:

“Jam shumë i kënaqur që kam marrë një ftesë nga Kombëtarja. Grupi është shumë i fortë. Jam shumë i sigurt që do të bëjmë shumë mirë në këto kualifikuese. Është një emocion i madh që do të luaj për Shqipërinë” – shprehet Marinaj, i cili nënvizon se kuqezinjtë do të japin maksimumin në çdo ndeshje, pavarësisht se kush është rivali.

“Grupi është shumë i mirë. Lojtarët janë shumë të fortë dhe shumë të mirë. Do japim maksimumin në çdo ndeshje, me Francën e kemi pak të vështirë, por do të tentojmë të marrim pikët maksimale me Zvicrën dhe Letoninë” – tha Marinaj për fshf.org.

Shorti i UEFA-s e ka vendosur Shqipërinë në Grupin 8 së bashku me Francën, Zvicrën dhe Letoninë, ndërsa ndeshjet e kësaj faze do të luhen në vendin tonë në muajin mars 2023, në stadiumet “Air Albania” e “Elbasan Arena” dhe do të organizohen nga Federata Shqiptare e Futbollit.
Gjergj KOLA