Bylisi tashmë është i fokusuar i tëri te sfida e së shtunës në kampionat me Tiranën, që do të luhet në orën 14:00 në stadiumin”Adush Muçaj”. Skuadra mallakastriote synon që të bëjë kthesën pasi vjen në këtë duel pas disfatës me Kukësin në “Zeqir Ymeri”.

Por ajo që është për t’u theksuar është se Bylisi ka tri vite pa fituar ndaj Tiranës, madje ballshiotët e kanë mposhtur Tiranën në kampionat pikërisht në 23.10.2019 me rezultatin 3-1 në “Adush Muçaj”, në një sfidë ndryshe, kur Bylisi la gjurmë në elitë dhe golat u shënuan nga Guindo, Goxhaj e Celis për Bylisin dhe Dunga për Tiranën. Ndërkohë që një vit më vonë, ballshiotët e kanë mundur po në”Adush Muçaj” skuadrën e Tiranës, por me rezultatin 2-1.

Pra, Bylisi ka tri sezone pa mundur Tiranën në Ballsh, edhe pse duhet thënë se Bylisi edhe një vit më vonë luajti në Superiore, ndërsa një sezon ka qenë në Kategorinë e Parë, teksa majin e shkuar, skuadra mallakastriote u rikthye në elitë. Në të tilla kushte, mallakastriotët do të guxojnë këtë fundjavë të përsërisin atë që bënë në sezonin 2019-2020, për t’u rikthyer në rrugën e sukseseve ndaj bardhebluve në “Adush Muçaj”.

Skuadra e Naxhi Shensoit do të jetë më e plotë se në takimet e tjera, ndaj edhe pritet që Bylisi të ketë një mbështetje të madhe edhe nga ultrasit ballshiotë. Ndaj, edhe kur kanë nisur të luhen fatet e sezonit, në Ballsh do të hyjnë në fushë vetëm për ta fituar takimin ndaj kampionëve. Mallakastriotët do të kenë përballë një nga ekipet më në formë të momentit e megjithatë kanë treguar se kur mobilizohen në fushën e tyre nuk kursejnë asnjë kundërshtar.

Për më tepër që në gjirin e vet kanë lojtarë cilësorë, por edhe me eksperiencë për të përballuar sfida të tilla. Prandaj edhe në Ballsh tashmë presin më shumë se kurrë rikthimin te fitorja, për t’u larguar sa më parë edhe nga zona e rrezikut të fundit të tabelës së renditjes së Superiores.