Jyrgen Klop do të festojë ndeshjen e tij të 1000- të si trajner në karrierën e tij kur Çelsi të vizitojë sot “Anfield Road”. Karriera e teknikut gjerman të Liverpulit nisi 23 vite më parë, ndërsa ai ka menaxhuar vetëm tri klube në Gjermani e Angli dhe ka fituar 3 tituj kampion dhe Champions-in.
Në 999 ndeshjet e deritanishme ai ka fituar 538 prej tyre dhe ka humbur 222. Dhe gati gjysma e këtyre triumfeve kanë ardhur në stolin e Liverpulit. Te Mainci, ku ai nisi karrierën në Bundesligën 2, ai fitoi 40.4% të ndeshjeve. Në Dortmund kapërceu në 56.4%, ndërsa në Liverpul e përmirësoi akoma më shumë përqindjen e fitoreve në 60.7.
SUKSESET – Ai fitoi famë kur orkestroi ngjitjen e Maincit në Bundesligë, për herë të parë në historinë e klubit në 2004-ën. Më vonë fitoi dy tituj kampion në Gjermani dhe Kupën e Gjermanisë me Dortmundin, përpara se të udhëhiqte Liverpulin drejt lavdisë europiane në 2019-ën dhe një vit më vonë në Premier Ligë.
Sezonin e shkuar ai bëri dopietë Kupash për herë të parë në historinë e Liverpulit, ndërsa “Reds”-at fituan 46 nga 63 ndeshjet që luajtën gjatë 2021-‘22.
Gjithsesi, forma e tyre ka rënë këtë sezon, me skuadrën që renditet në vend të nëntë në Premier Ligë, me vetëm 15 fitore në 29 ndeshjet e deritanishme në të gjitha kompeticionet (51.7%). Ata nuk janë renditur jashtë katërshes së parë të Premier Ligës që prej sezonit të parë të gjermanit në “Anfield” (2015-‘16).
RIVALËT E PREFERUAR – Rivalët e sotëm të tyre, Çelsi, janë një kundërshtar që Klop e njeh mirë. Ai është përballur 19 herë me ta, duke fituar 6 ndeshje dhe barazuar 9. Ai nuk ka barazuar më shumë ndeshje ndaj një skuadre tjetër.
Sezonin e shkuar, ata regjistruan dy barazime 0-0 në Kupën e Ligës dhe FA, me Liverpulin që i fitoi të dyja me penallti. Ato barazuan gjithashtu të dyja ndeshjet e Premier Ligës.
Rivali i preferuar i Klopit është Fraiburgu, ndaj të cilëve ka humbur vetëm 2 herë në 18 ndeshje. Ai ka fituar gjithashtu 10 duele nga 17 përballjet me Totenhemin, duke humbur vetëm një herë.
Bajerni është skuadra me të cilën është ndeshur më shumë në karrierë, por edhe ka humbur më shumë: 16 nga 31.
Një rivalitet special është edhe ai me Pep Guardiolën. Me katalanasin ai është përballur më shumë se çdo trajner tjetër në karrierë. Te Dortmundi, Klop fitoi 3 ndaj 8 ndeshjet e Bajernit të Pepit. Ndërsa tani te Liverpuli ai ka fituar 8 nga 19 ndeshjet kundër Sitit të Guardiolës. Në total, ka fituar 11 nga 27 përballjet me Guardiolën.
Gjermani nuk ka mundur më shumë asnjë trajner tjetër, por as ka regjistruar më shumë humbje gjithashtu (9 disfata). Klop nuk ka humbur kurrë ndeshjet jubilare.
Ai fitoi të 200- ën, 300-ën, 400-ën, 500-ën dhe 600-ën si trajner dhe barazoi me Çelsin në ndeshjen e tij të 800-të.
FITORET REKORD – Klop ka gjurmën e tij në Liverpul me futbollin sulmues dhe presingun asfiksues. Pesë ndeshjet me rezultatin me më shumë gola kanë ardhur me të trajner të Liverpulit: barazimi 5-5 me Arsenalin në 2019 mban rekordin.
Fitorja më e thellë e Klopit me “Reds”-at është 9-0 ndaj Bornmëthit në Premier Ligë në gusht. Skuadra e tij ka regjistruar rezultate rekord edhe në Champions. Dortmundi dhe Liverpuli kanë shënuar së bashku të drejtuara nga ai 205 gola në 100 ndeshje europiane, duke fituar 58. Sulmuesit më të mirë të tij janë Firmino, Salah dhe Mane, të cilët kanë bërë më shumë se 250 ndeshje për të dhe janë në 7 lojtarët me më shumë prezenca.
PREZENCAT – Liverpuli do të jetë pa Firminon e dëmtuar sot, por sulmuesi brazilian është lojtari që ka regjistruar më shumë prezenca në 999 ndeshjet e Klopit si trajner (341). Xhejms Milner është vetëm lojtari i dytë që kalon shifrën e 300 ndeshjeve nën drejtimin e gjermanit (301). Qendërmbrojtësi serb Neven Subotiç luajti për Klopin te Mainci dhe Dortmundi dhe u përzgjodh 282 herë, ndërsa ish-portieri Roman Vaidenfeler ishte lojtari më i aktivizuar i Klopit te Dortmundi: i startoi të 280-ta ndeshjet e tij me gjermanin.
GOLASHËNUESIT – Salah ka shënuar 173 gola nën drejtimin e Klopit, mesatarisht çdo 133 minuta dhe ka një mesatare më të mirë edhe sesa Robert Levandovski, i cili te Dortmundi i Klopit shënoi çdo 139 minuta. MOSHA – Harvi Eliot është lojtari më i ri që ka zgjedhur Klop të luajë për skuadrat e tij (16 vjeç e 174 ditë), ndërsa ishmbrojtësi i Maincit, Peter Nojshtader, është më i vjetri (37 vjeç e 176 ditë).