Jurgen Klopp insiston se ka 100% besim te lojtarët e tij në prag të ndeshjes kyçe të Champions League ndaj Paris Saint-Germain.

Grupi C ndodhet në një pozicion delikat, me Liverpool që ka grumbulluar vetëm 6 nga 12 pikët e mundshme dhe i duhet një fitore ndaj francezëve për të siguruar kualifikimin.

“Dëmtimet e Neymar dhe Mbappe nuk kanë qenë kurrë lojëra psikologjike. Ata ishin të dëmtuar, por unë i pres të dy në fushë ndaj nesh.

“Do të jetë një ndeshje e vështirë në Paris, por do të provojmë. Nuk e di si mund të shkojë ndeshja. Por do të përballen dy klube shumë ambicioze në një situatë interesante në grup.

“Do të luajmë për gjithçka. Grupi ishte i vështirë që në fillim. Sa më i vështirë bëhet, aq më shumë duhet të mendosh. PSG është dominues në kampionatin francez, por nuk do të jetë dominues ndaj nesh.

“Neymar dhe Mbappe? Janë lojtarë të mrekullueshëm, por nuk kam harxhuar kohë të tepërt për t’ia thënë mbrojtësve të mi këtë gjë.

“Kjo gjeneratë do të ketë parë 5000 video në Youtube të Neymar dhe Mbappe, kështu që nuk do të ketë surpriza. Ata janë të shpejtë dhe mund të ndëshkojnë këdo, por unë kam 100% besim te lojtarët e mi.

“Si do të luajmë? Me guxim. Ne i shijojmë këto ndeshje. E shijuam sfidën ndaj Manchester City-t, edhe ndeshjen e parë me PSG, megjithëse do të jetë shumë e vështirë.”