Nuk është befasi dhe asgjë e panjohur që skuadrat turke të mbesin borxhe për futbollistët e tyre. Por skuadrës së njohur turke, Antalyaspor i ka qëlluar ‘sharra në gozhdë’ me futbollistin kosovar Zymer Bytyqi, i cili ka dalë lojtar i lirë dy vite para fundit të kontratës.

Telegrafi kishte raportuar ditë më parë se Bytyqi ka shkëputur kontratën me Antalyasporin, pasi e kishte paditur klubin në FIFA për tre rroga të pa paguara.

FIFA i dha leje klubit turk 15 ditë për të shlyer borxhin ndaj sulmuesit kosovar, por Antalyaspor nuk kishte arritur dot t’i siguronte parat dhe shtëpia më e madhe e futbollit botëror i dha të drejtë Bytyqit që ta shkëpusë në mënyrë të njëanshme kontratën e tij.

Kjo gjë ia ka vështirësuar edhe më shumë punët Antalyasporit, që tani jo vetëm tre pagat që i kanë borxh, por do të detyrohen t’i paguajnë Zymer Bytyqit hiq më pak se 2,2 milionë euro, deri në fund të kontratës e cila ishte deri në fund të sezonit 2025/26.

Vetë lojtari ka shkruar në profilin e tij në Instagram se i ka pëlqyer qëndrimi në Antalya, por që si futbollist ka besim vetëm në kontrata dhe kushte.

“Për shokët e mi të skuadrës, mbështetësit dhe miqtë fantastikë në Antalyaspor, fatkeqësisht koha ime në klub ka marrë fund.. Më ka pëlqyer qëndrimi në Antalia, por si futbollist karriera jote është e shkurtër me ulje-ngritje, në fund duhet besim në kontrata dhe kushte”.

“Ju uroj juve dhe klubit gjithë të mirat në të ardhmen dhe faleminderit për gjithë mbështetjen”, ka shkruar Bytyqi.

27-vjeçari ka zhvilluar 33 ndeshje me fanellën e Antalyaspor këtë edicion, teksa ka shënuar dy gola dhe ka asistuar në katër të tjerë. /Telegrafi/