Ansu Fati (20-vjeçar) e ka të qartë se dëshiron të triumfojë te Barça. Këtë dëshirë ia ka transmetuar edhe përfaqësuesit të tij, Jorge Mendes, i cili pasi mori dritën jeshile nga klubi blaugrana për të kërkuar oferta paraqiti interesimin e skuadrave si Manchester United, Bayern Munich apo Tottenham. Këto janë destinacione të mundshme për sezonin e ardhshëm të futbollistit të ri.

Pavarësisht qëndrimit të palëkundur të Ansu, ’10’ e Barçës mbetet në agjendën e Tottenham. Madje në Angli pretendojnë se “Spurs” do të ishin të gatshëm të thyenin rekordin e vet historik në transferime për të rrëmbyer ndërkombëtarin spanjoll. Kështu thekson ‘Daily Express’, e cila detajon se Tottenham po kërkon përforcime në sulm për t’i dhënë një kërcim cilësor skuadrës dhe se Ansu mbetet një nga opsionet e preferuara për londinezët.

Tottenham nuk ka bërë asnjë sforco për të nënshkruar me sulmues të spikatur që nga ardhja e Heung-min Son në verën e vitit 2015. Drejtuesit e klubit të Premier League konsiderojnë se Ansu Fati mund të jetë një mundësi interesante për të shoqëruar koreanin dhe Harry Kane, e ardhmja e të cilit është gjithashtu e paqartë, sepse mund të jetë në kërkim të një destinacioni me aspirata më të mëdha.

Deri më sot, transferimi më i madh në historinë e Tottenham është francezi Tanguy Ndombélé, për të cilin ka paguar 62 milion euro te Olympique Lyon në verën e vitit 2019. Raportet e fundit tregojnë se kjo shifër duhet tejkaluar për të nisur negociatat me Ansu Fati.