Ajo që ka rënë në sy në ndeshjen e djeshme në mes Vllaznisë dhe Tiranës ka qenë “harresa” për të nderuar ish-futbollin e njohur shkodran Ardian Arra. Në raste të tilla, zakonisht përpara ndeshjes së rradhës, mbahet një minutë heshtje në respekt të këtyre figurave që ndahen nga jeta. Por klubi Vllaznia nuk e ka bërë një gjë të tillë dje. Përpara ndeshjes, askush nuk është kujtuar nga ana e drejtuesve të klubit për ta bërë një ceremoni të tillë shumë domethënëse.

Mbase drejtuesit e klubit merakun e madh e kanë patur tek ardhja në stadium e Presidentit të Republikës, z. Bamir Topi dhe kanë harruar këto “detajet e vogla” që në fakt vlejnë më shumë se çdo gjë tjetër. Klubi Vllaznia dje e ka “harruar” Ardian Arrën dhe kjo tregon se drejtuesit e tij kanë ende shumë për të bërë. Vërtetë mund të ketë ndryshime në drejtim, vërtetë mund të ketë probleme të tjera por nderimi i figurave që kanë dhënë shumë për këtë skuadër në vite, është një gjë që patjetër duhej bërë. Vllaznia këtu ka gabuar por jo grupimi i tifozëve Vllaznit- Ultras që para ndeshjes ka shpalosur një parrullë të madhe ku shkruhej: R.I.P Ardian Arra (Pusho në paqe Ardian Arra). Ata e meritojnë t’u themi bravo u qoftë ndërsa drejtuesit e Vllaznisë ta kenë të qartë se historinë nuk e bëjnë ata që janë sot. Historia e këtij klubi është 92 vjeçare, e mbushur me trofe dhe emra të mëdhenj në rradhët e tij.