Viti 2019 ka nisur më mirë për kombëtaren shqiptare të boksit. Që prej fillimit të kësaj jave, ajo është grumbulluar në plazhin e Divjakës për një periudhë 15 ditore.

Në krye të ekipit tonë kombëtar janë trajnerët Zef Gjoni, Gëzim Zeneli dhe Jozef Sermi ndërkohë që pjesë e saj në këtë grumbullim janë katër sportistë.

Bëhet fjalë për dy shkodranët Arjon Kajoshi dhe Albert Kapaj si dhe dy vlonjatët, Rexhildo e Krenar Zeneli.

Një grumbullim i tillë është mundësuar nga një biznesmen i cili ua ka plotësuar të gjitha kushtet sportistëve dhe stafit teknik.

Këta të fundit, duke qenë se kemi të bëjmë me një periudhë përgatitore, po aplikojnë një stërvitje të fortë me tre seanca në ditë.

E para nis që në orën 7 të mëngjesi, e dyta është afër mesdites dhe e treta pasdite. Boksierët çdo ditë janë 4 orë deri në 4 orë e gjysëm në stërvitje dhe deri më tani janë duke e përballuar ashtu si duhet atë.

Viti 2019 ka në kalendarin e tij disa aktivitete të rëndësishme ndërkombëtare ku boksierët tanë do të tentojnë të marrin pjesë dhe për këtë arsye, përgatitjet sivjet kanë nisur herët.

Medalja e argjentë që boksieri Krenar Zeneli mori vitin e kaluar në Lojërat Mesdhetare është një arritje e rëndësishme për boksin shqiptar dhe njëkohësisht një tregues i mirë se edhe ky sport mund të përfaqësohet denjësisht në arenën ndërkombëtare.

Vetë Federata Shqiptare e Boksit po i kushton gjithnjë e më shumë rëndësi elementit më të mirë që është edhe pjesë e kombëtares shqiptare sepse synon marrjen e të tjera medaljeve edhe gjatë këtij viti.

www.shkodrasport.com