Evropiani i peshëngritjes që këtë vit zhvillohet në Tiranë është në prag. Më datat 5-15 prill, në pallatin e sportit “Asllan Rusi” zhvillohet edicioni i radhës së veprimtarisë më të rëndësishme kontinentale në sportin e shtangës, ndaj dhe vëmendja e Federatës Shqiptare të Peshëngritjes për këtë eveniment është e madhe.Drejtuesit e FSHP-së po punojnë si në drejtim të organizimit të këtij aktiviteti ashtu dhe në drejtim të përgatitjes së një ekipi kombëtar cilësor, që të pretendojë medalje në evenimentin e shtëpisë.

Për këtë arsye, prej gati një muaji është grumbulluar ekipi kombëtar. Rreth 30 kandidatë ndodhen në Durrës, ku dhe stërviten çdo ditë, por jo të gjithë do të kenë mundësi të veshin fanellën e kombëtares. Sekretari i sapo-emëruar i Federatës Shqiptare të Peshëngritjes, Muharrem Berisha, pohon se do të jenë dy teste të rëndësishme ato që do të përcaktojnë ekipin kuqezi në këtë Europian e njëri prej tyre është Kampionati Kombëtar, që do të zhvillohet në pallatin e sportit “Ramazan Njala” të Durrësit, më datat 4-6 mars. Natyrisht që kampionati do të vërë “vulën”, por peshëngritësit kandidatë do të kenë mundësi që më parë të testojnë forcat në një kontroll që do të organizohet nesër.Në këtë kontroll do të shihet puna e kryer gjatë muajit të fundit dhe të pranishëm do të jenë edhe trajnerët e peshëngritësve të grumbulluar. Pritet që të gjithë sportistët t’i nënshtrohen në periudhën e mbetur edhe testeve të tjera antidoping, pas asaj të kryer një muaj më parë, kur nisi grumbullimi.Për sa i përket Europianit, pritet që Shqipëria të përfaqësohet në të me 12 peshëngritës në total, por ky numër mund të shkojë edhe në 15. Në fakt, pritet që 3 peshëngritës të jenë rezervë, por gjithçka do të konfirmohet pas përfundimit të Kampionatit Kombëtar. Aktualisht, të grumbulluar, janë 26 djem dhe 5 vajza, ose më saktë 4 vajza, pasi Romela Begaj vijon të stërvitet në Greqi. Në mes sportistëve që janë duke u përgatitur në Durrës, janë edhe 5 të klubit Vllaznia dhe pikërisht Valmir Kotrri e Emanuel Lushi në peshën 62 kg,
Gridi Jahja në peshën 69 kg, Xhulio Prroni në peshën 85 kg dhe Isa Bala në peshën +105 kg. Bashkë me ta është edhe trajneri i Vllaznisë Zef Kovaçi

www.shkodrasport.com