Kombëtarja shqiptare e çiklizmit që prej fillimit të kësaj jave është grumbulluar në Shkodër në përgatitjet e saj për Turin Çiklistik të Shqipërisë. Tur ky që sivjet do të nisë nga ky qytet pikërisht ditën e hënë. Nën drejtimin e trajnerëve Dashamir Rama e Leonat Kola, gjashtë çiklistët e komtares tonë të grumbulluar këtë herë, ndër të cilët janë edhe tre të Vllaznisë, janë munduar të bëjnë më të mirën e tyre, ndonëse kushtet atmosferike nuk kanë qenë shumë të përshtatshme gjatë këtyre ditëve.

Duke folur për mediat, trajneri Rama premton se kombëtarja jonë do të bëjë më të mirën e mundshme në këtë Tur, por padyshim që do të jetë shumë e vështirë sepse pjesmarrës do të jenë edhe shumë ekipe profesioniste nga mbarë Europa.

“Vendosëm ta zhvillojmë këtë grumbullim në qytetin e Shkodrës për vetë traditën e shkëlqyer që ka ky qytet në çiklizëm dhe përpos kësaj, ka edhe terrenin e përshtatshëm për t’u stërvitur. Kushtet atmosferike nuk kanë qenë të përshtatshme megjithatë jemi munduar të ndërtojmë një program stërvitor të duhur për t’u përgatitur sa më mirë. Pjesë e këtij grumbullimi kanë qenë gjashtë çiklistë, ndër të cilët edhe i mirënjohuri Eugert Zhupa ndërsa në ditët e ardhshme presim të na bashkohen edhe Ylber Sefa e Kliti Jaku.

Kuptohet që Turi i sivjetëm do të jetë shumë i vështirë sepse marrin pjesë ekipe shumë të mira nga Europa por besoj se edhe kombëtarja shqiptare do të përfaqësohet denjësisht”- është shprehur ai.

Turi i 76-të i Shqipërisë do të startojë ditën e hënë me etapën Shkodër- Reps- Shkodër, 193 kilometra e gjatë dhe padyshim që pritet një garë shumë interesante dhe që do të dhurojë shumë emocione.
© shkodrasport.com