Dyshimi nëse do të zhvillohej apo jo edicioni i sivjetëm i “Gongut të Artë”, turneut më të rëndësishëm të boksit në Maqedoni, ka marrë fund pak ditë më parë. Ai do të zhvillohet në datat 13-14 nëntor në Shkup. Organizatorët duket se i kanë zgjidhur problemet që kanë patur për të bërë të mundur zhvillimin e këtij turneu dhe menjëherë kanë nisur ftesat ndaj ekipeve pjesmarrëse. Një e tillë natyrisht që ka ardhur edhe në adresë të kombëtares shqiptare si një nga ekipet që ka marrë rregullisht pjesë në “Gongun e Artë” të çdo viti.

Me të marrë ftesën, drejtuesit e Federatës tonë kanë nisur punën për të përcaktuar edhe anëtarët e kombëtares për këtë aktivitet. Nga sa mësohet, ekipi ynë kombëtar do të përbëhet nga 6 sportistë dhe pikërisht në peshën 52 kg Klevis Vrapi (Teuta), 60 kg Taulant Zajmi (Dinamo), 64 kg Anxhelo Merkohasanaj (Tirana), 69 kg Denis Nurja (Tirana), 81 kg Arjon Kajoshi dhe 91 kg Kristian Demaj. Por ky i fundit që njëkohësisht ka qenë fitues i medaljes së artë në edicionin e vjetshëm të këtij turneu dhe po ashtu fitues i “Gongut të Artë”, (i vetmi shqiptar që ka fituar në vite këtë trofe të rëndësishëm), ditët e fundit ka pësuar një dëmtim në stërvitje dhe për këtë arsye, stafi teknik i kombëtares ka vendosur zëvendësimin e tij. Për të përzgjedhur më të mirën, mësohet se është lënë për t’u zhvilluar një sparing në mes Aleksander Ramos dhe Emiliano Xhedikut dhe kush do ta fitojë atë do të jetë në Maqedoni. Trajnerë të ekipit do të jenë Zef Gjoni dhe Jozef Sermi. Duke folur në lidhje me këtë aktivitet, trajneri Gjoni për shkodrasport.com do të shprehej: “Sipas informacioneve që kemi marrë nga zëvendëspresidenti i Federatës maqedonase, do të ketë një pjesmarrje prej 12 shtetesh në këtë aktivitet. Duke nisur nga Anglia që vjen me ekipin e parë, Uellsi, Rumania, Hungaria, Bullgaria, Serbia, Maqedonia, Kroacia, Kosova, Shqipëria etj, pra do të kemi të bëjmë me një turne shumë të fortë. Ne shkojmë me 6 sportistë dhe kuptohet që pretendojmë me disa prej tyre të zëmë vende të para. Besoj se kemi për t’ia dalë me sukses ashtu siç kemi bërë edhe vitet e kaluar ku kemi treguar nivel të lartë pjesmarrje”. Menjëherë pas këtij aktiviteti, kombëtarja shqipare e boksit do të marrë pjesë në kupën “Adem Jashari” që do të zhvillohet në Kosovë.
Gjergj KOLA