Vllaznia në volejboll për meshkuj nuk i ka bërë nisjen e duhur kampionatit. Ajo është mundur në “Qazim Dervishi” me rezultatin e pastër 0-3 nga Farka Volej dhe kuptohet që më shumë se kushdo tjetër i surprizuar nga kjo humbje ka qenë trajneri i ekipit shkodran Artan Kalaja. Duke folur për shkodrasport.com në lidhje me këtë humbje, ai ka thënë: “Ka qenë një humbje e papritur për ne. Situata na doli jashtë kontrollit në këtë ndeshje e kjo mund të ketë ardhur nga vlerësimi i tepërt i saj apo mbivlerësimi i kundërshtarit më shumë sesa duhet. Djemtë u futën në fushë me emocione negative dhe këto natyrisht që patën ndikimin e vet në lojë. Kuptohet që pas kësaj humbje, na del për detyrë të analizojmë gjithçka ndodhi dhe po ashtu na del për detyrë të bëjmë më shumë stërvitje sepse ndeshje të tjera të vështira na presin”. Në fakt, edhe me ardhjen e Rrashketës, tek kuqeblutë pati një rritje të pretendimeve dhe në sezonin e ri kishte objektiv jo thjesht futjen në play- off por më tepër. Gjithsesi trajneri Kalaja është i bindur se kështu do të ndodhë dhe për rrjedhojë shton: “Të jeni të bindur se kjo nuk është forma reale e Vllaznisë dhe këtë keni për ta parë. Skuadra nuk ka asgjë të përbashkët me atë çfarë paraqiti ndaj Farkës. Ka më shumë vlera dhe këtë e ka treguar edhe në të gjitha ndeshjet miqësore që ka zhvilluar përpara fillimit të kampionatit. Në këtë takim nuk ishte problemi tek forma e dobët e një lojtari pasi të gjithë luajtën shumë dobët megjithatë do korigjohemi duke filluar nga ndeshja e ardhshme”. Vllaznia pritet të jetë një nga ekipet pretendente për titullin kampion në këtë sezon por për ta arritur këtë, kuptohet që duhet të ketë sa më pak gabime si ky ndaj Farka Volej në ndeshjen e ditës së djeshme.
Gjergj KOLA