Farka Volej ka shkaktuar surprizën e javës së parë të kampionatit të volejbollit për meshkuj teksa ka fituar brenda në Shkodër me rezultatin e pastër 3-0 ndaj Vllaznisë. Në fakt kjo nuk pritej ngaqë shkodranët në sezonin e ri janë përforcuar dhe kërkojnë të jenë një nga ekipet pretendente për titullin kampion. Por ndeshja e parë tregoi tjetër gjë. Miqtë nga Farka, kanë arritur të fitojnë setin e parë 25 me 16 dhe pastaj edhe të dytin 25-21 duke çuditur disi vendasit që kujtohen të zgjohen vetëm në setin e tretë megjithatë edhe ky do të fitohej në shtesë nga Farka Volej me rezultatin 29 me 27 dhe krejt ndeshjen me shifrat 3-0. Për trajnerin e Vllaznisë Artan Kalaja, kjo ndeshje nuk tregon gjendjen e vërtetë të Vllaznisë ndërkohë që trajner i Farka Volej Dritan Bardhi është shprehur i entuziasmuar për suksesin e parë por duke thënë se ato do të vazhdojnë edhe në të ardhmen. Kampionati i volejbollit të meshkujve ka nisur kësisoj me surpriza dhe ato pritet të jenë të shumta këtë sezon sepse janë disa skuadra që do të konkurrojnë për titullin kampion. Të paktën këtë përshtypje të krijojnë përgatitjet që kanë bërë dhe merkatoja e zhvilluar.