E kanë thënë gjithmonë dhe vazhdojnë ta thonë: Vllaznia është një nga simbolet e Shkodrës dhe shkodranëv, është dashnia e madhe e tyre dhe është emri me të cilin janë rritur breza të tërë.

Tifozë të kësaj skuadre nuk janë vetëm ata që bërtasin fort nga shkallët e stadiumit, janë edhe shumë emra të njohur të muzikës, artit, por edhe fushave të tjera të jetës.

Njëri prej tyre është edhe kompozitori i njohur Shpëtim Saraçi. Ai prej vitesh jeton bashkë me familjen e tij në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, por nuk i ka harruar asnjëherë “rrënjët” e tij. Dhe po ashtu edhe një nga kënaqësitë më të mëdha të fëmijërisë dhe rinisë së tij.

Për ta vërtetuar këtë gjë, mjafton një koment i bërë prej tij në një foto të fotografit të njohur Paulin Palushi, të publikuar nga ish- futbollisti i njohur i Vllaznisë së viteve ’80, Lulëzim Bërsheni.

Ishte një foto e një brezi të shkëlqyer lojtarësh ku janë Agim Maliqati, Hysen Zmijani, Hysen Dedja, Rudi Vata, Isak Pashaj, Viktor Briza, Ferid Rragami, Fasli Fakja, Fatbardh Jera, Luan Vukatana dhe Lulëzim Bërsheni.

Dhe duke parë gjithë këto emra të bujshëm që ndihmuan për të shkruar historinë e artë të Vllaznisë, kompozitori Saraçi shkruan: “Kjo asht Vllaznia e adoleshencës teme. E paharrueshme…”. Dhe në fakt e tillë është jo vetëm për të, por për shumëkënd.
© shkodrasport.com