Antonio Konte foli vetëm për “Inter TV” për të shmangur që në vigjiljen e sfidës me Romën konferenca të shndërrohej në një debat lidhur me nyjën e pagave.

Për të ardhmen do të ketë kohë, javën e ardhshme ose e shumta atë pasardhësen trajneri më në fund do të flasë me Zhangun dhe të kuptojë projektin sportiv, nga ku do të varet qëndrimi i tij te zikaltrit. Ndërkohë, siç ka ndodhur gjatë muajve të fundit, Konte ka izoluar skuadrën nga çështjet e klubit duke u përqendruar vetëm te puna në fushë.

GJITHMONË MAKSIMUMI – Përpara se të flasë për Romën, Konte ka shprehur koncepte të përgjithshme: “Objektivi është të kërkohet gjithmonë maksimumi, të përqendrohemi përgjatë gjithë 90 minutave plus shtesën. Lojtarët me Sampdorian u paraqitën shumë mirë dhe u duhen bërë komplimente.

Pashë manovra të bukura dhe situata të riprovuara në stërvitje. Pavarësisht nga ndërrimet e shumta, ka pasur një rezultat dhe një paraqitje të mirë, këta lojtarë kanë profesionalizëm të madh. Fituam titullin, por është e drejtë të nderohet fitorja e kampionatit në mënyrën më të mirë të mundshme duke luajtur me seriozitet dhe profesionalizëm. Fitorja duhet të jetë e fiksuar në trurin tonë.

Mungojnë tri ndeshje me skuadra të rëndësishme, duam të nderojmë titullin dhe të japim maksimumin në fushë. Vitin e kaluar ishim mbrojtja dhe sulmi më i mirë, këtë vit kemi mbrojtjen më të mirë dhe sulmin e dytë. Duam të marrim maksimumin edhe nga pikëpamja e statistikave”.

ROMA — Ja disa fjalë edhe për kundërshtarin e sotëm: “Në Romë zhvilluan një ndeshje të parë të mirë, ekzistonte rreziku për t’u kapur në fund pas një goditjeje këndi ku nuk u vendosëm mirë.

Ishte megjithatë një paraqitje pozitive kundër një skuadre të mirë. Roma ka një organikë të shkëlqyer, dëshiron të përfundojë mirë sezonin. Pas nesh do të kenë derbin, nuk do të dorëzohen apo të vijnë për shëtitje. Në dy sezonet e mia ka pasur vetëm barazime, ka ekuilibër”.