Vllaznia i ka bërë një start të ngadaltë kampionatit, teksa në katër javët e para kanë arritur të marrin vetëm gjashtë pikë. Në dy ndeshjet ndaj Erzenit dhe Egnatias, shkodranët kanë lënë për të dëshiruar me paraqitjen e tyre në fushën e lojës dhe nuk kanë arritur në pothuajse asnjë moment të shfaqen rrezikshëm para portave.
Sa i takon ndeshjeve me Kukësin dhe Tiranën, kanë qenë fitore mëse të merituara, por që edhe në ato dy ndeshje, shkodranët patën luhatjet e tyre, sidomos në fazën mbrojtëse.
Krahasuar me Vllazninë e një sezoni më parë në Superiore, deri më tani në katër javët e para, skuadra e këtij kampionati ka të njëjtën kuotë pikësh, ashtu si sezonin e kaluar, vetëm gjashtë pikë.
Në katër ndeshjet e para në sezonin 2021-2022, Vllaznia kishte vetëm gjashtë pikë, kur fitonte me Laçin në transfertë dhe më pas merrte tre barazime rradhazi, në Shkodër me Teutën dhe në transfertë me Partizanin e Skënderbeun.
Në katër ndeshjet e para të këtij kampionati, skuadra shkodrane ka sërish të njëjtën kuotë pikësh, pasi ka fituar dy ndeshje, me Kukësin në Shkodër dhe Tiranën në “Selman Stërmasi”, por edhe ka humbur dy të tjera me Erzenin dhe Egnatian në transfertat respektive. Një rastësi e njëjtë që nuk ka kënaqur askënd as në sezonin e kaluar, por as në sezonin aktual.
Maringlen ZHIVANI